Lidhje

Shtohen numri i emigrantëve që mbërrijnë në Itali


Sipas Bashkimit Evropian, numri i emigrantëve që kanë mbërritur në muajin maj në Itali nga Afrika e Veriut është dyfishuar nga muaji prill. Sipas zyrtarëve evropianë, kjo rritje nuk është pasojë e mbylljes së trajektores nëpërmjet Greqisë dhe Ballkanit, por për shkak të shtimit të emigrantëve nga Afrika, që kërkojnë të arrijnë brigjet e Evropës.

Rreth 19 mijë emigrantë mbërritën në Itali në muajin maj nga Afrika e Veriut, gati dyfishi i muajit të mëparshëm. Një numër rekord prej mbi 13 mijë personash u shpëtuan në Detin Mesdhe vetëm brenda një jave.

Me shtimin e numrit të emigrantëve, Bashkimi Evropian vendosi të vazhdojë edhe për një vit operacionin “Sofia”, kundër trafikantëve dhe anijeve me emigrantë:

“Emigrantët, dhe në veçanti trafikantët, po i përshtaten politikës së re të Evropës. Ata po i përshtaten mjedisit të ri, çka do të thotë se problemi nuk është pakësuar,” - thotë Rikardo Fabiani.

Gjatë këtij viti, rreth 2100 persona kanë vdekur gjatë udhëtimit nëpër Mesdhe.

Këtë muaj, BE-ja vendosi të forcojë bashkëpunimin me vendet përgjatë rrugëtimit të emigrantëve, në veçanti me Libinë. Por, në këtë vend të përçarë nga milicitë dhe administratat rivale është thuajse e pamundur arritja e një partneriteti të efektshëm.

“Roja bregdetare libiane do të bashkëpunojë formalisht për këtë çështje me Qeverinë e Bashkimit Kombëtar dhe me Evropën. Por, ajo që do të ndodhë realisht në prapaskenë, është se do të bashkëpunojnë me trafikantët për të mbyllur njërin sy, ose për t’ua dorëzuar sërish atyre një pjesë të emigrantëve të kthyer mbrapsht,” - thotë Rikardo Fabiani.

Organizata “Amnesty International” akuzon rojen bregdetare libiane për abuzime të mëdha me emigrantët. Organizata intervistoi dhjetëra persona që i mbijetuan udhëtimit dhe që folën për trajtim të tmerrshëm:

“Kemi regjistruar raste të shtënash me armë, braktisjeje dhe rrahjesh nga roja bregdetare libiane. Për më tepër, edhe raste torture dhe abuzimi në qendrat e pritjes ku mblidhen këta refugjatë dhe emigrantë.”

Në një rast, disa emigrantë përshkruan se si u braktisën në det të hapur nga roja bregdetare, pasi u prish motori i anijes së tyre:

“Bashkimi Evropian nuk e trajton Libinë si Turqinë, duke menduar se Libia do të jetë në gjendje të frenojë emigrantët që kërkojnë të mbërrijnë në Evropë.”

OKB-ja thotë se mbi 7 mijë fëmijë të pashoqëruar arritën në Itali nga Afrika e Veriut gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, shumë prej tyre të rrezikuar për t’u shfrytëzuar.

Sipas OKB-së, rreth 235 mijë emigrantë të tjerë po presin në Libi për të udhëtuar drejt Evropës, dhjetëra mijëra prej tyre fëmijë që udhëtojnë të vetëm.

XS
SM
MD
LG