Lidhje

Izraeli, reagime negative për marrëveshjen


Izraeli e dënoi marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore për të kufizuar programin bërthamor iranian në këmbim të heqjes së disa sanksioneve ndërkombëtare. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi duke e quajtur marrëveshjen një "gabim me përmasa historike."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani do të ndjekë tani një rrugë të shkurtër për prodhimin e armës bërthamore. Shumë prej kufizimeve që ishin menduar se do ta pengonin Iranin, tha zoti Netanyahu, tani do të hiqen.

Gjatë një fjalimi sot në parlament, Kryeministri Netanyahu riafirmoi të drejtën e Izraelit për vetë-mbrojtje.

"Ne nuk na i lidh duart kjo marrëveshje, ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë atë. Ne do të rezervojmë aq më tepër tani të drejtën tonë për të mbrojtur veten kundër të gjithë armiqve me forcën tonë, që është mjaft e madhe. Në çështjet ekzistenciale, ne nuk kemi asnjë kundërshtim mes nesh. Për të siguruar ekzistencën dhe të ardhmen tonë është i nevojshëm një front i bashkuar," tha zoti Netanyahu.

Kryeministri izraelit bisedoi me Presidentin Barack Obama të martën mbrëma dhe publikoi më pas një deklaratë të gjatë, ku përpiqej të shpjegonte se marrëdhëniet e tij jo të mira personale me presidentin amerikan nuk kishin patur ndonjë ndikim në rezultatin e negociatave në Vjenë.

Irani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, edhe pse shumë analistë e vënë këtë në dyshim, për shkak të objekteve të tij sekrete bërthamore dhe mosgatishmërisë në kohë të ndryshme për të bashkëpunuar me monitorët ndërkombëtarë.

Udhëheqës izraelitë nga i gjithë spektri politik kanë shprehur kundërshtim ndaj marrëveshjes, duke e quajtur atë një kërcënim ekzistencial për shtetin hebre për shkak të thirrjeve të përsëritura të Teheranit për shkatërrimin e Izraelit.

Zyrtarët e lartë të mbrojtjes thanë se marrëveshja, e cila heq, të paktën përkohësisht, kërcënimin e veprimit ushtarak kundër objekteve të dyshuara të armëve bërthamore iraniane, nuk do ta pengojë Izraelin të përgjigjet ushtarakisht.

Profesori i Universitetit të Tel Avivit, Oz Rabi, tha se marrëveshja është një moment vendimtar në kontekstin gjeopolitik, për shkak se ajo e bën Irani një superfuqi.

“Izraeli nuk duhet të armiqësohet me SHBA. Mendoj se marrëveshja është tani një fakt dhe ne nuk mund ta ndryshojmë dot. Ajo që ne duhet të bëjmë është të shpjegojmë dhe të dalim me prova të forta për shkeljet e Iranit ndaj marrëveshjes, kur ato të ndodhin.” tha zoti Rabi.

Disa analistë kanë thënë se për shkak të natyrës së marrëveshjes, ata i frikësohen një gare armatimesh bërthamore në Lindjen e Mesme.

"Marrëveshja nuk është e drejtë dhe qeveria këtu në Izrael duhet të kishte bërë diçka shumë kohë më parë në vend që të rrinte duarkryq dhe të priste. Ne nuk mund të lejojmë një tjetër Holokaust," thotë Shilo David.

Brenda vendit, marrëveshja ka shërbyer si një forcë unifikuese në politikën izraelite. Opozita e qendrës së majtë e mbështet plotësisht zotin Netanyahu në denoncimin e marrëveshjes dhe ekziston mundësia që, si rrjedhojë e kësaj, të formohet një qeveri e re e bashkimit kombëtar.

XS
SM
MD
LG