Lidhje

Izraeli ofron lirimin e 104 të burgosurve palestinezë

  • Robert Berger

Qeveria izraelite ka mbështetur një plan për të rifilluar bisedimet e paqes me palestinezët dhe po ofron një gjest të vullnetit të mirë, që është pritur me polemika në vend.

Kabineti izraelit ka miratur lirimin e 104 të burgosurve palestinezë për t’u hapur rrugën bisedimeve të reja të paqes. Lirimi ishte kushti që vendosën palestinezët për të rifilluar negociatat që ngecën në 2010.

Pjesa më e madhe e të burgosurve ishin përfshirë në sulme vdekjeprurëse terroriste dhe janë burgosur që para se Izraeli dhe palestinezët të nënshkruanin Marrëveshjet e Oslos për Paqe në vitin 1993.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ky ishte një vendim i vështirë për të dhe Kabinetin e tij dhe veçanërisht për familjet e viktimave. Por ai tha se është e nevojshme të merren vendime të vështira për të arritur paqen.

Zoti Netanyahu tha se negociatat janë të rëndësishme për Izraelin në mënyrë që të mbyllet konflikti me palestinezët dhe në atmosferën e kërcënimeve nga lufta civile në Siri dhe programi bërthamor i Iranit.

Në një tentativë që duket se synon të ulë shqetësimet publike për koncesione të mundshme territoresh, Kabineti votoi gjithashtu për të vendosur me referendum çdo marrëveshje përfundimtare për krijimin e një shteti palestinez.

Lirimi i të burgosurve ndeshi në kundërshtim të fortë në Kabinet dhe vota përfundimtare ishte 13 me 7, me dy abstenime. Naftali Bennet i Partisë Hebraike votoi kundër:

Ai tha se ata që kërkuan lirimin e vrasësve të grave dhe fëmijëve nuk janë partnerë të paqes.

Por Kadoura Fares i cili kryeson një grup palestinez që flet në emër të të burgosurve, tha se ata që do të lirohen kanë vuajtur dënime të mjaftueshme dhe kanë deklaruar se heqin dorë nga dhuna. Ai tha për radion izraelite se të burgosurit kanë kryer sulme mbi 20 vjet më parë dhe sot mbështesin procesin e paqes.

Kryenegociatorët izraelitë dhe palestinezë pritet të takohen këtë javë në Uashington për të diskutuar një kornizë për rifillimin zyrtar të bisedimeve të paqes.
XS
SM
MD
LG