Lidhje

James Biberi: Rolet negative nuk dëmtojnë imazhin e shqiptarëve


Aktori James Biberi i tha Zërit të Amerikës se nuk beson që roli negativ i një shqiptari që ai luan në filmin Dead Man Down të prishë imazhin e shqiptarëve në përgjithësi. Aktori shqiptaro-amerikan, i cili ka luajtur përkrah shumë yjeve të Hollivudit, ishte këto ditë në studiot e Zërit të Amerikës dhe foli për karrierën dhe projektet e tij të ardhshme.

James Biberi mund të shihet në filma të ndryshëm të Hollivudit si Analyze That, The Brave One, The Hoax, Drive, dhe në Dead Man Down, filmi i tij i fundit, ku ai luan rolin e një shqiptari, pjesë e krimit të organizuar.

Intervistë me aktorin James Biberi
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:13 0:00

James Biberi jeton në Nju Jork. Ai erdhi në Uashington me familjen dhe na bëri një vizitë në Zërin e Amerikës. Aktori na foli fillimisht për prejardhjen e tij dhe zhvendosjen në Shtetet e Bashkuara.

James Biberi: Ne erdhëm në Amerikë në vitin 1968. Babai im ishte nga Tropoja, dhe më saktësisht nga rrethinat e Bajram Currit. Ai emigroi nga Shqipëria në Mal të Zi, ku u njoh me nënën time, dhe ku ata u martuan. Më pas, ata shkuan në Gjakovë, ku linda unë. Nga Gjakova shkuam në Itali dhe qëndruam aty një vit. Nga Italia erdhëm në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1968, dhe unë isha shumë i vogël në atë kohë. Isha 3 vjeç kur erdhëm këtu.

Zëri i Amerikës: Çfarë kujtoni me më shumë kënaqësi nga fëmijëria juaj?

James Biberi: Kujtimet e mia të hershme të fëmijërisë janë nga koha kur u rrita në Nju Jork, pasi isha shumë i vogël kur u ika nga Gjakova, dhe nuk mbaj mend gjë nga vitet e fëmijërisë atje. Unë u rrita në Bronks dhe kalova një fëmijëri tipike prej Nju Jorku. Ne luanim stickball – një lloj baseballi që luhet në rrugë –dhe lojëra të tjera si gjithë fëmijët e Nju Jorkut. Gjithashtu, prindërit na çonin shpesh në parqe, pasi ne nuk ishim të pasur.

Zëri i Amerikës: Emri juaj i vërtetë është Agim Biberaj. Tani të gjithë ju njohin si James Biberi. Në cilin moment të karrierës ju desh të zgjidhnit një emër arti?

James Biberi: Sinqerisht, ajo është diçka që më ka mbetur vërtet peng. Do të kisha dashur të mos e kisha ndryshuar emrin. Por, kur fillova karrierën si aktor isha 20 vjeç dhe menaxheri im i parë, po haste vështirësi që të siguronte pjesëmarrjen time në provime për role filmash apo në seriale televizive. Pra ata në një farë mënyre më detyruan ta ndryshoja emrin. Sipas tyre, prej emrit [Agim Biberaj] nuk mund të kuptohej nëse isha ose jo amerikan, apo nëse flisja anglisht. Që kur isha i vogël, shumë vetë më quanin Jimmy, për shkak të një mësueseje që kisha në klasën e dytë, e cila u përpoq pa sukses të shqiptonte emrin tim. Më pas, Jim, në mënyrë të pashmangshme, u bë James. Ata ndërruan edhe mbiemrin tim duke hequr shkronjat “aj” në fund të tij dhe duke shtuar një “i”. Kjo është historia e emrit, të cilin do të kisha dashur të mos e kisha ndryshuar.

James Biberi ka luajtur në disa filma të studiove të mëdha të Hollivudit me aktorë të mirënjohur si Robert De Niro, Richard Gere, Jodie Foster, Vin Diesel, Nicolas Cage, Ryan Gosling, apo dhe Colin Farell në filmin e tij të fundit në kinema Dead Man Down.

James Biberi: Gjatë realizimit të filmit Analyze That, më kujtohet kur po xhironim një skenë në të cilën Robert De Niro hynte në lokal. Ai kishte për të thënë një fjali në fillim, dhe e ngatërroi atë disa herë. Pasi kishim bërë 5 ose 6 tentativa, një komedian i madh italiano-amerikan, Pat Cooper, i cili luantë në të njëjtin film, i bërtiti: “Po thuaje të shkretën se na mërzite!.” De Niro qeshi me të madhe. Qeshëm edhe ne të gjithë në sheshin e xhirimit.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndjesish ju krijon puna përkrah yjeve të hollivudit? Ndjeni një përgjegjësi më të madhe apo për shkak të profesionalizmit të tyre puna juaj bëhet më e thjeshtë?

James Biberi: Nuk mendoj se puna bëhet më e vështirë. Kur luan krah aktorëve të mëdhenj, është e vërtetë që mund të mësosh dhe mund të bësh punë të mirë, por nuk mendoj se është më e vështirë. Si aktor, ti përqëndrohesh tek roli yt, bën punën tënde. Pavarësisht nëse je një aktor, piktor, apo muzikant, nuk mendoj se ajo që një bën një artist tjetër duhet të ketë pasoja mbi ty.

Zëri i Amerikës: Në filmin tuaj të fundit, Dead Man Down, ju luani rolin e një shqiptari që drejton një grup familjar e shoqëror shqiptarësh të tjerë pjesë e krimit të orgnizuar. Disa njerëz besojnë se këto karakterizime mund të dëmtojnë imazhin e shqiptarëve në përgjithësi. Cili është opinioni juaj?

James Biberi: Unë e kuptoj që disa njerëz mund të kenë atë mendim, por unë nuk e mendoj ashtu. Për mendimin tim, realizimi i këtyre filmave ka qëllim zbavitjen. Prandaj nuk mendoj se roli im në film si një gangster shqiptar do të dëmtonte imazhin e komunitetit shqiptar. Mendoj se është diçka më dëmtuese nëse shikon gjëra të tilla në lajme. Pra nëse sheh në lajme që shqiptarë janë arrestuar për dyshime të ndryshme, kjo do të dëmtonte imazhin e shqiptarëve.

Nëpërmjet Facebook-ut, Mario, një shikues, kërkoi që zotin Biberi ta pyesnim nëse do të pranonte një rol në një film shqiptar në qoftë se pagesa nuk do të ishte e mirë.

James Biberi: Do të pranoja. Por gjëja më e rëndësishme për mua është që skenari të më frymëzojë. Duhet që kur të lexoj një skenar të më lindë dëshira për ta realizuar atë, përndryshe nuk ka kuptim ta bëj. Unë kam refuzuar disa filma, edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët ishin gati të më paguanin mirë. Por nuk desha të isha pjesë e tyre..., për shembull njëri prej tyre përmbante dhunë të panevojshme dhe mua nuk më pëlqeu ky fakt. Pra, sidomos në rastet kur filmat nuk paguajnë shumë, duhet që projekti të jetë diçka që të bën për vete kur lexon skenarin. Por është absolutisht diçka e mundur; thuajini Marios të shkruajë një skenar të mirë, një personazh tërheqës dhe ta dërgojë tek VOA dhe mua ma dërgojnë prej aty.

Zëri i Amerikës: Një tjetë shikues në Facebook, Qazimi, pyet për udhëtimet tuaja në Shqipëri dhe Kosovë apo vende të tjera me komunitet shqiptar në rajon.

James Biberi: Kam qenë në Prishtinë disa vite më parë, për një festival filmi për të cilin m’u kërkua të isha anëtar i jurisë. Ishte një eksperiencë që më pëlqeu shumë. Kam në plan të shkoj në Shqipëri, pasi jam i vetmi në familje që nuk ka shkuar atje. Shpresoj që brenda dy viteve të ardhshme të bëj një udhëtim të plotë nga veriu deri në jug të Shqipërisë.

Sa i përket projekteve në realizim e sipër, James Biberi veçon një dokumentar të titulluar “Vijat bardhë e zi” (Black and White Stripes), i cili tregon historinë e skuadrës italiane të futbollit Juventus. James Biberi, producent i dokumentarit, na tregoi se midis të intervistuarve do të jenë emra si Alessandro Del Piero, Gianluigi Buffon, Andrea Pirlo, Michel Platini, Pavel Nedved, Lapo Elkann, John Elkann, Andrea Agnelli etj. Një tjetër projekt është filmi Blame It on the Hustle, me aktorin Ving Rhames.
XS
SM
MD
LG