Lidhje

Rrezatimi radioaktiv në Japoni


Njoftimet e reja lidhur me ndotjen nga rrezatimi nga termocentrali i dëmtuar bërthamor i Fukushimës në Japoni kanë ngritur shqetësime të reja. Ajo që pritet të jetë një betejë disa dekadëshe për ndalimin e rrjedhjeve radioaktive dhe për pastrimin nga ndotja në uzinën bërthamore Fukushima 1, është përsëri në vëmendjen e publikut, pas zbulimit të informacionit të ri.

Pronari i objektit të shkatërruar, Kompania e Energjisë Elektrike të Tokios, TEPCO, thotë se në muajt e fundit ka patur një rritje të madhe të niveleve të radioaktivitetit tek ujrat tokësore, si dhe në ato të oqeanit.

Ndërkohë, kreu i Autoritetetit Rregullator të Energjisë Bërthamore të Japonisë, Shunichi Tanaka, pranon se uji i ndotur ndoshta ka rrjedhur vazhdimisht në Oqeanin Paqësor, që kur uzina bërthamore u shkatërrura nga cunami i vitit 2011. Zoti Tanaka thotë se oqeani vazhdon të ndotet në një fare mase, qoftë pak, apo shumë, dhe ndërsa arriti kulmin në kohën e fatkeqësisë dy vjet më parë, ai mendon se ndotja ka vazhduar edhe më pas.

Junichi Sato, drejtor i programit për grupin ambjentalist Greenpeace, i tha Zërit të Amerikës se ky është një problem i ri shqetësues.

“Kryesisht në të kaluarën, ndotja shkaktohej nga derdhja e qëllimshme e ujit të ndotur. Dhe pikërisht kjo thuhet, se kjo është arsyeja e ndotjes. Por tani po flasim për rrjedhje të ndotjeve tek rezervat ujore, që do të thotë një ndotje e vazhdueshme e oqeaneve.”

Zoti Sato thotë se grupi Greenpeace po i kërkon TEPCO-s që nga maji, që të lejojë hyrjen e një pale të tretë brenda zonës ekskluzive 5 kilometërshe, për të marrë mostra për analizimin e pavarur të nivelit të rrezatimit tek ujërat bregdetare.
Regullatori bërthamor Tanaka pranon se burimi i rrjedhjes nuk dihet dhe se askush nuk ka në plan ta ndalojë atë.

Duke folur me gazetarët zoti Tanaka tha se nuk ka zgjidhje të plotë dhe se në se do të kishte, ata do ta zbatonin. Autoritetet dhe TEPCO, thotë ai, ndoshta do t’u duhet të eksperimentojnë për të gjetur burimin dhe zgjidhjen e problemit.

Zoti Sato, i grupit Greenpeace, është mes personave që shqetësohen se njoftimeve të reja lidhur me e rrezatimin po u kushtohet pak vëmendje nga shtypi japonez.

“Sepse kanë kaluar dy vjet dhe 4 muaj nga fatkeqësia, dhe qeveria dhe po ashtu media duan të mos i kushtohet vëmendje lajmeve të këqia, sepse ata mendojnë se kjo nuk e ndihmon popullin e Fukushimës, apo rimëkëmbjen e situatës. Ne duam të argumentojmë se në se nuk jepet informacioni i nevojshëm dhe i saktë, rimëkëmbja e Fukushimës nuk do të ndodhë kurrë.”

Shkatërrimi i tre reaktorëve të uzinës Fukushima 1, ka patur ndikim negativ për industrinë bërthamore në Japoninë, një vend me burime të pakta energjitike.
Para fatkeqësisë së vitit 2011, Japonia, një vend me zhvillim të lartë induatrial, varej tek energjia bërthamore për rreth një të tretën e nevojave të veta energjitike.

Aktualisht vetëm dy reaktorë bërthamorë janaë në gjendje pune në Japoni, të tjerët janë fikuar. Atyre u duhet të plotësojnë standarte strikte sigurie, para se të marrin leje për të rifilluar përsëri prodhimin e energjisë elektrike për ekonominë e tretë më të madhe të botës.
XS
SM
MD
LG