Lidhje

Një gazetar që ndikon në reformën e imigracionit


Gazetari Jose Antonio Vargas, i cili ka përshkruar me hollësi në shtyp jetën e tij si emigrant pa dokumente në Shtetet e Bashkuara, u arrestua këtë javë nga patrulla kufitare dhe u mbajt disa orë pasi u përpoq të largohej nga një qytet kufitar i Teksasit pa vizë amerikane. Vargas është fitues i Çmimit prestigjoz Pulitzer. Ai është përkrahës aktiv i reformës së imigracionit dhe u bë sidomos i njohur pas një shkrimi të gazetës New York Times në vitin 2011. Ky shkrim ngjalli debate për sistemin e imigracionit.

Në një hotel në qendër të Uashingtonit, imigrantët pa dokumente diskutojnë në një konferencë se si mund ta ndryshojnë statusin e tyre.

Jose Antonio Vargas është gazetar, regjisor dhe aktivist i emigracionit. Në një shkrim në New York Times tre vjet më parë, ai zbuloi se ishte "emigrant pa dokumente." Ky shkrim i dha shkas rigjallërimit të diskutimeve mbi atë që këtu njihet si Dream Akt, "Akti i Ëndrrës", një projekt-ligj, që nëse miratohet, do t'u jepte të rinjve imigrantë të arsimuar në SHBA mundësinë për të marrë shtetësinë amerikane. Më vonë fotoja e tij u shfaq në ballinën e revistës Time.

"E ndjeja veten fajtor dhe doja të bëja diçka për njerëzit pa dokumente, për ata që kanë ëndrra për jetën e tyre," thotë Vargas.

Angela Kelly, nënpresidente e Qendrës Amerikane për Progres, thotë se gazetari Vargas ka ndikim në debatin për imigracionin.

"Jose Antonio Vargas po e nxit këtë debat shumë më tepër se sa mund të përfytyrohej. Ai erdhi në SHBA kur ishte 12 vjeç. Nëna e hipi në një avion dhe i dha një dokument, që ai mendonte se ishte një green-card. Ajo e dërgoi këtu që ai të jetonte me gjyshin dhe gjyshen, pasi ajo mendonte se në Filipine për të nuk kishte ndonjë të ardhme. Ai erdhi këtu, mësoi anglishten, duke parë televizion dhe, në moshën 16 vjeç, kur shkoi të merrte patentën, i thanë se nuk mund t'ia jepnin pasi ai ishte pa dokumente."

Vargas u bë gazetar i Washington Post-it, dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Çmimin Pulitzer në vitin 2008 për mbulimin e një tragjedie në Universitetin Virginia Tech. Por sekreti i tij si emigrant pa dokumente u bë i vështirë të ruhej. Gjyshja e tij ishte e shqetësuar.

"Gjëja e parë që të më tha në telefon nuk ishte urimi. Ajo më tha: Po sikur ta marrin vesh? U mbylla në banjë, në katin e katërt të redaksisë dhe zura të qaj, sepse nuk dija ç'të bëja."

Shkrimi në New York Times i solli atij nam të keq.

Në shkurt të vitit 2013 Vargasit iu kërkua të dëshmojë para Komisionit Juridik të Senatit.

"U deshën 12 vjet që të dilja hapur si amerikan pa dokumente. Vitet e fundit ka patur edhe të tjerë si unë që kanë dalë hapur. Ne ëndërrojmë një mënyrë për të marrë shtetësinë, që të mund të marrim pjesë aktive në demokracinë tonë amerikane," tha Vargas.

Ai shkoi përsëri në Kongres, këtë herë me ata për të cilët ai ndjen se ka një lidhje të ngushtë, me ata mijëra njerëz që kanë ardhur në Uashington për të argumentuar se përse duhet t'u jepet shtetësia.

"Unë jam më i madh se shumica e tyre, por e ndjej se çështja jonë është e përbashkët," tha Vargas.

Gazetari nxjerr mësime nga përvoja e kaluar dhe i bën ato të vetat.

"Kur flas para njerëzve, zakonish e mbyll fjalimin duke cituar Martin Luther Kingun. Historia do të shënojë se në këtë periudhë të rëndësishme tranzicioni, çështja është jo te zhurma e njerëzve të këqinj, por te heshtja e tmerrshme e njerëzve të mirë. Ne nuk mund ta përballojmë dot më këtë heshtje. Ne kemi nevojë që ata të flasin dhe të vihen në anën e drejtë të historisë. Sidomos tani."

Jose Antonio Vargas thotë se imigracioni është çështje e të drejtave civile të kohës sonë. Ai ka themeluar edhe një organizatë për të nxitur reformën e imigracionit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG