Lidhje

Shtohet kanceri i gjirit tek gratë në Shqipëri


Kanceri i gjirit tek gratë është bërë një nga sëmundjet kryesore në Shqipëri. Nga 7 mijë raste të zbuluara me kancere në vit, studimet tregojnë se 30 për qind e tumoreve tek gratë është kancer gjiri dhe 1 në 8 gra diagnostikohet me këtë sëmundje. Kanceri i gjirit zbulohet zakonisht shumë vonë në Shqipëri, ose në fazën e katërt të saj.

“Gjatë këtij viti ne dyfishuam buxhetin për citostatikët, për të fuqizuar këtë shërbim, u blenë një seri pajisjesh të reja dhe u punësuan 8 mjekë të rinj onkologë 4 në Tiranë dhe 4 në qytete të tjera” - thotë ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj.

Tetori është muaji botëror i kancerit të gjirit, dhe gjatë këtij muaji u vizituan falas në Shqipëri mbi 2 mijë gra në 11 qendrat stacionare të mamografisë. Vetëm gjatë këtij muaji janë vizituar gra sa i gjithë viti, pra gjithsej janë vizituar mbi 4 mijë gra për kancerin e gjirit.

“Aktualisht janë hequr tarifat për vizitat e mamografisë dhe gratë janë ftuar të kryejnë një ekzaminim edhe pa patur një rekomandim nga mjeku i famljes” - thotë ministri Beqaj, i cili shtoi se pengesat financiare dhe gjeografike nuk janë aq të mëdha sa janë mendësitë kulturore.

Për të shmangur barrierat gjeografike janë blerë 2 aparatë mamografie të lëvizshme për zonat rurale, që u janë shtuar 11 të tjerëve të stacionuar. Aparatet e kobaltoterapisë janë kthyer në gjendje pune dhe po punohet që sa më shpejt të funksionojë edhe akseleratori linear. Sipas mjekëve, kanceri i gjirit mund të kurohet nëse kapet herët në kohë, ndaj vizitat e hershme janë të domosdoshme.

Në spitalin rajonal të Durrësit do të hapet javën e ardhshme reaprti i kemioterapisë, ndërsa janë blerë kabinetet kemioterapie për në spitalin e mushkërive të Tiranës “Shefqet Ndroqi” dhe më pas shërbimi do të ofrohet në Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Prej një vti janë hequr tarifat për disa kontrolle të sëmundjeve tumorale dhe janë ulur disa tarifa të tjera në këto vizita, për t'i nxitur qytetarët, që të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre në faza sa më të hershme.

XS
SM
MD
LG