Lidhje

Kriza dhe përpjekjet për pavarësi në Katalonia


Kriza më e rëndë ekonomike që prej një brezi në Spanjë ka ringjallur interesin tek pavarësia mes banorëve të zonës së pasur verilindore të Katalonias. Zgjedhjet lokale të 25 nëntorit pritet të përforcojnë pozicionin pro-pavarësi të partisë në pushtet dhe mund të çojnë në një referendum për këtë çështje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin njofton nga kryeqyteti rajonal, Barcelona:

Buzë brigjeve të Mesdheut, Barcelona është një qytet i bukur dhe i begatë. Por anketat tregojnë se banorët e saj janë gjithnjë e më të pakënaqur që taksat që ata të paguajnë të shërbejnë për të mbështetur pjesë më të varfra të Spanjës dhe mjaft të pyesësh disa njerëz në rrugë dhe këto përfundime vërtetohen.

“Unë e mbështes pavarësinë sepse mendoj se Katalonia do të kishte më shumë para nëse nuk do t’i duhej të dërgonte aq shumë në Spanjë”.

“Po e mbështes pavarësinë e Katalonias për shumë arsye. Arsyeja kryesore është mungesa e njohjes së realitetit katalan për shumë vite”.

“Katalonia i paguan një sasi të madhe taksash kur në të vërtetë këto para duhet të mbeten këtu dhe mund të përdoret për të përmirësuar jetën e Katalonias”.

Kjo ndjesi është e dukshme edhe në shumë ballkone të Barcelonës. Flamuri rajonal është i kuq me vija të verdha, por po të shtosh një trekëndësh dhe një yll bëhet një parullë për pavarësinë. Gjithnjë e më shumë flamurë të tillë po shfaqen në gjithë qytetin, disa herë pranë atij rajonal.

Megjithatë ka shqetësime se shkëputja nga Spanja do të shkaktonte një konflikt të gjatë dhe të hidhur dhe Spanja do të bllokonte dëshirën e Katalonias për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur rajone të tjera të Evropës po kërkojnë gjithashtu pavarësinë. Krenaria rajonale dhe kultura janë një faktor i rëndësishëm i lëvizjeve të pavarësisë.

Por profesori i ekonomisë Juan Carlos Conesa në Universitetin Autonom të Barcelonës thotë se ana praktike duhet të luajë një rol më të madh në debat.

“Pikëpamja ime është se do të jetë një situatë humbëse për të dyja palët. Një proces i tillë mbart pasiguri të madhe. Dhe në mes të një krize ekonomike, më shumë pasiguri nuk është një rrugë e mirë për të dalë nga kriza”.

Por pranë zyrës së tij, disa nga studentët e tij nuk janë të një mendjeje.

“Në të ardhmen e afërt mund të shkaktojë disa probleme. Por ndoshta shkëputja do të ndihmonte edhe katalanasit, edhe spanjollët”.

“Elita politike në Madrid por përpiqet të konsolidojë një shtet qendror dhe në thelb ata përdorin paratë nga rajonet e pasura si Katalonia”.

“Në një shoqëri më pluraliste në Spanjë ne mund ta gjenim vendin tonë pa probleme. Por jo ashtu siç është situata tani”.

Profesor Conesa u thotë atyre se askush nuk e di se cilat do të ishin pasojat e një lëvizjeje serioze ndaj pavarësisë katalanase. Ai beson se e vetmja gjë e sigurt është pasiguria ndoshta dëmtuese që do të shkaktonte një lëvizje e tillë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG