Lidhje

Analistët për takimin Kerry-Lavrov mbi Sirinë


Diplomatët e lartë takohen në Gjenevë për të diskutuar mbi një nismë të re, që mund t’i japë fund kërcënimit të sulmeve ajrore amerikane kundër Sirisë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të takohet sot në Gjenevë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, për të diskutuar mbi një nismë të re që mund t’i japë fund kërcënimit të sulmeve ajrore amerikane kundër Sirisë. Ky takim zhvillohet ndërkohë që disa komente të rastit nga ana e Sekretarit Kerry lidhur me armët kimike të Sirisë bënë që zoti Lavrov të komentonte në publik lidhur me një ide që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kishin diskutuar privatisht. Por ekspertët vënë në pikpyetje nëse kjo ide është një arritje mes dy vendeve, apo nëse Siria dhe aleatja e saj, Rusia do të përdorin diplomacinë për të shmangur vemendjen nga sulmi me armë kimike muajin e kaluar.

Gjatë një konference shtypi të hënën në Londër, një gazetar e pyeti Sekretarin Kerry se “çfarë mund të bëjë Siria për të shmangur sulmin ushtarak”.

“T’i dorëzojë komunitetit ndërkombëtar të gjitha armët kimike që javën që vjen. T’i dorëzojë të gjitha”.

Por zoti Kerry menjëherë e bëri të qartë se po fliste teorikisht dhe nuk priste që një gjë e tillë të ndodhte.

“Por Siria nuk do ta bëjë një gjë tillë, madje një gjë e tillë as që nuk mund të bëhet”.

Ministri i Jashtëm rus pa një mundësi në komentet e Sekretarit Kerry, duke i mirëpritur ato gjatë një konference shtypi në Moskë. Homologu i tij sirian tha se Damasku mund ta shqyrtojë një alternativë të tillë.

"Jam autorizuar të konfirmoj mbështetjen tonë për nismën ruse lidhur me armët kimike në Siri”.

Ishte një periudhë 24 orëshe plot befasi. Por a janë vërtetë seriozë sirianët dhe rusët për këtë plan, apo po përpiqen të fitojnë kohë?

Ekspertja e sigurisë ndërkombëtare, Joanna Kidd, në Kolegjin King’s të Londrës, thotë se Siria mbështetet tek armët kimike si një shtyllë mbrojtëse dhe do të nguronte që me të vërtetë të hiqte dorë prej tyre.

“Ky është një objektiv që do të merrte disa muaj. Dhe natyrisht që nuk duhet të harrojmë se në Siri vazhdon lufta civile, gjë që do ta ndërlikonte shumë këtë objektiv”.

Kjo luftë po vazhdon për dy vjet e gjysëm, por ishte sulmi me armë kimike muajin e kaluar, i cili Shtetet e Bashkuara thonë se kanë prova se u krye nga zyrtarë të lartë sirianë, që çoi në kërcënimin nga ana e Presidentit Barack Obama për sulme ajrore, ndërkohë që tani Rusia dhe Siria janë angazhuar t’i shmangin ato.

Paul Schulte, analist i armëve kimike në organizatën Carnegie me seli në Londër, thotë se një sulm kimik duhet të pasohet me një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare, madje ai nuk është i sigurtë nëse qëndrimi rus do të jetë i mjaftueshëm.

“Plani rus, i cili mund të dështojë ose mund të ndryshojë situatën për mirë, ende është shumë i paqartë, ndërkohë që ekziston shumë skepticizëm në se do të funksionojë apo jo”.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë mund të sigurojë inspektorë për të verifikuar kontrollet e reja mbi armët kimike të Sirisë, por mund të mos ketë një numër të mjaftueshëm të tyre dhe ata mund të mos jenë të gatshëm të punojnë në një vend që ndodhet mes një lufte civile.
Mund të duhen muaj të tërë për të negociuar hollësitë, ndërkohë që vazhdon lufta civile dhe kërcënimi për sulme ajrore amerikane. Por përderisa Rusia të krysojë bisedimet e reja mbi Sirinë për t’u bërë pjesë e marrëveshjes globale për ndalimin e armëve kimike, qeveria e Damaskut mund ta ketë të vështirë t’i përdorë ato përsëri.

XS
SM
MD
LG