Lidhje

Kina dhe SHBA premtojnë të zhvillojnë lidhjet ekonomike


Kina dhe SHBA premtojnë të zhvillojnë lidhjet ekonomike
Kina dhe SHBA premtojnë të zhvillojnë lidhjet ekonomike

Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner u takua sot me kryeministri kinez Uën Gjia-bao, ndërkohë që dy vendet premtuan të çojnë më tej lidhjet ekonomike. Por Pekini nuk dha asnjë shenjë se do të zbutë kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve amerikane në industrinë iraniane të naftës.

Gjatë takimit, kryeministri kinez Wen Jiabao bëri thirrje për dialog në vend të konfrontimit mbi mosmarrëveshjet.

"Kur është fjala për Kinën dhe Amerikën, bashkëpunimi funksionon më mirë se kundështimi," tha kryeministri kinez.

Nga ana e tij zoti Gajtner tha se të dyja palët kanë bërë hapa të mëdha për zgjerimin e tregtisë.

"Së bashku, ne mbajmë një përgjegjësi thelbësore për rritjen e shëndetshme dhe zhvillimin e ekonomisë globale dhe të sistemit financiar global," tha zoti Geithner.

Sekretari amerikan i Thesarit u takua edhe me zëvendëskryeministrin ekzekutiv të Kinës, Li Keqiang. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë trysni Pekinit në lidhje me kontrollin e monedhës së tij, juanit, si dhe kanë kërkuar mbështetje që Kina të luajë rol në frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit.

Kina, blerësi më i madh i naftës iraniane, ka hedhur poshtë sanksionet e njëanshme amerikane dhe disa analistë të industrisë thonë nuk ka gjasa që Pekini të bashkëpunojë në embargon ndaj naftës iraniane.

Uashingtoni ka vënë në shënjestër eksportet e naftës së Iranit në përpjekje për të frenuar ato që qeveritë perëndimore thonë se janë përpjekje të Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore.

Sanksionet do të ndalonin hyrjen e institucioneve të ndryshme financiare në tregun amerikan nëse ato bëjnë biznes me bankën qendrore të Iranit.

Kina është konsumatori më i madh në botë i energjisë dhe varet nga Irani për 11 për qind të importeve të saj të naftës.
Në nëntor, Kina bleu rreth 600-mijë fuçi nafte iraniane në ditë, afro një e treta e eksporteve të përditshme Iranit.

XS
SM
MD
LG