Lidhje

Kina pezullon prodhimin e mineraleve të rralla


Kina pezullon prodhimin e mineraleve të rralla
Kina pezullon prodhimin e mineraleve të rralla

Javën e kaluar, prodhuesi më madh i mineraleve të rralla në Kinë pezulloi prodhimin në përpjekje për të ngritur çmimet për 17 mineralet bazë që përdoren për prodhimin e teknologjive. Megjithëse Kina tani pothuaj ka monopolin e këtyre burimeve të rëndësishme, Ivan Broadhead njofton nga Hong Kongu se dominimi i këtij vendi së shpejti mund të sfidohet nga partnerët tregtarë të cilët po humbin durimin me manipulimet e zinxhirit të furnizimeve të këtyre mineraleve.

Ish-udhëheqësi kinez Deng Xiaoping deklaroi në vitin 1992 se “Lindja e Mesme ka burimet e saj të naftës kurse Kina ka pasuritë e saj të mineraleve të rralla”. Që atëherë, kompanitë kineze kanë filluar nxjerrjen e mineraleve të rralla dhe tani furnizojnë 95 përqind të tregut të këtyre mineraleve në botë. Kompania shtetërore Batou Group prodhon 60 përqind të mineraleve të rralla.

Javën e kaluar, drejtuesit e kompanisë thanë se do të pezullojnë prodhimin për të stabilizuar tregun dhe për të balancuar ofertat dhe kërkesat për mineralet e rralla. Ky vendim merret pasi ka patur rënie të çmimit me rreth 20 përqind gjatë muajve të fundit.

Andrews Bloodworth është kreu i shkencës në Institutin Britanik të Gjeologjisë. Ekipi i tij kohët e fundit ka përpiluar Listën e Elementeve Kimike që rrezikohen të zhduken për vitin 2011.

Kjo listë tregon kërcënimet me të cilat përballet tregu i furnizimit të mineraleve të rralla dhe grupit të elmenteve që janë të nevojshme për zhvillimin global të ekonomisë.

Megjithëse mineralet e rralla mund të nxirren edhe në vende të tjera jashtë Kinës, zoti Bloodworth thotë se problemi kryesor për bizneset që merren me nxjerrjen e këtyre minieraleve është kostoja e ndarjes së këtyre elementeve nga mineralet tjera.

“Kinezët mund ta bëjnë këtë me kosto më të ulët se kushdo tjetër, duke bërë që çmimi i mineraleve të rralla të bierë dhe minierat në vende të tjera të mbyllen. Kështu që tani ne jemi pranë monopolit të këtij tregu sa i përket ofertave dhe kërkesave, dhe njerëzit janë të shqetësuar që Kina mbizotëron tregun e mineraleve të rralla”.

Kina është e njohur për manipulimin e çmimit të mineraleve të rralla duke kufizuar furnizimin, ka zbatuar moratorium të njejtë në vitin 2008.

Pekini në të kaluarën ka demonstruar se është i gatshëm të përdorë dominimin e tregut si një mjet të politikës së jashtme. Në tetor të vitit 2010 Kina ndaloi transportin e ngarkesave nga Japonia gjatë një mosmarrëveshje territoriale me Tokion.

Ndryshe nga rastet e mëparshme kur Pekini ka manipuluar ofertat, bota tani gjithnjë e më shumë po përgatitet të largohet nga varësia e saj nga Kina për mineralet e rralla.

Prodhuesit, përfshirë kompanitë Toyota dhe General Motors, tashmë po zhvillojnë procese që minimizojnë përdorimin e mineraleve të rralla në dizejnot e makinave, thotë drejtuesi i studimeve në kompaninë AME, Mathew Fusarelli.

“Mineralet e rralla në përgjithësi kanë një aftësi të lartë për t’u zëvendësuar nga materiale të tjera. Kështu që prodhuesit e materialeve elektronike me kalimin e kohës mund të ndryshojnë procesin e prodhimit në mënyrë që përdorimi i mineraleve të rralla të përdoret më pak ose të mos përdoret fare”.

Andrew Bloodworth thotë se nuk do t’u marrë shumë kohë furnizuesve të rinj të shmangin varësinë nga Kina.

“Sasia e mineraleve që ne përdorim në krahasim me metalet industriale është shumë e vogël. Vitin e kaluar në mbarë botën janë nxjerrur 17 deri 18 milionë tonë bakër. Në botë vitin e kaluar janë nxjerre vetëm 130 deri 140 mijë tonë minerale të rralla. Nëse hapen dy miniera tjera ato mund ta ndryshojnë ndjeshëm sasinë e përgjithshme të prodhimit të mineraleve të rralla”.

Janë planifikuar ndërtime të reja të minierave në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Australi. Kurse minierat e tjera të cilat më parë kanë patur shqetësime se nuk mund të përfitojnë nga nxjerrja e mineraleve të rralla, kanë marrë hapa për fillimin e prodhimit.

Në mesin e tyre është miniera Molycorp në Mountain Pass të Kalifornisë. Kjo minierë u mbyll në vitin 2002 atëherë kur Kina e mbushi tregun me oferta me çmime të ulëta.

Drejtuesit e minierës Molycorp thonë se ata kanë zbuluar disa depozita të reja të mineraleve të rralla dhe presin që miniera e vjetër të bëhet një nga furnizuesit më të mëdhenj të mineraleve të rralla në botë nga viti 2014.

XS
SM
MD
LG