Lidhje

Klinton: Të vihet në vend drejtësia për krimet e Kmer Ruzhit


Klinton: Të vihet në vend drejtësia për krimet e Kmer Ruzhit
Klinton: Të vihet në vend drejtësia për krimet e Kmer Ruzhit

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton i bëri sot thirrje Kamboxhias të ballafaqohet me të kaluarën e dhimbshme, duke sjellë para drejtësisë eksponentët e Kmer Ruzhit që akuzohen për krime kundër njerëzimit gjatë viteve ‘70. Sekretarja i bëri komentet gjatë vizitës në një objekt të përdorur më parë nga regjimi Khmer Rouge për tortura dhe burgosje dhe bëri thirrje për ndjekjen penale të personave përgjegjës. Një gjykatë ndërkombëtare shpalli fajtor një nga rojet e burgut në korrik dhe ka në plan të zhvillojë procese të tjera kundër ish-udhëheqësve Khmer Ruzh. Kryeministri Hun Sen tha javën e kaluar se është kundër vazhdimit të gjyqeve ndaj të akuzuarve të tjerë të Khmer Ruzhit, çka çoi në reagimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun.

Gjatë qëndrimit të saj në Phnom Pen, zonja Klinton u bëri thirrje autoriteteve kamboxhiane të kapërcejnë praktikën e abuzimeve pa ndëshkim. Sekretarja e Shtetit theksoi se procesi i vendosjes së drejtësisë ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara:
“Përparësia ime kryesore është të garantoj që fondet janë lëvruar, në mënyrë që të fillojë procesi gjyqësor. Ky proces është planifikuar të fillojë në gjysmën e parë të vitit 2011. Sa më parë, aq më mirë”.

Qeveria kamboxhiane nuk ka pranuar të lejojë që një gjykatë e mbështetur nga OKB-ja të zhvillojë proceset e gjykimit të udhëheqësve të lartë të Khmer Ruzhit. Regjimi majtist fajësohet për vdekjen e rreth 1.7 milionë vetëve nga urija, sëmundjet dhe puna e detyruar si dhe ekzekutimet gjatë viteve 1975-1979. Kritikët e akuzojnë kryeministrin Hun Sen se po përpiqet të kufizojë kompetencat e gjykatës për të mos lejuar që aleatët e tij politikë të shpallen fajtorë.

Sekretarja e Shtetit Klinton u bëri thirrje autoriteteve kamboxhiane t’u tregojnë më shumë vëmendje të drejtave të njeriut. Qeveria e Phnom Penit akuzohet për shtypjen dhe përndjekje të grupeve opozitare.

Zonja Klinton u ndal edhe në problemin e trafikut njerëzor. Dje, në ditën e parë të qëndrimit në Kamboxhia, Sekretarja e Shtetit vizitoi një qendër të financuar nga Shtetet e Bashkuara për rehabilitimin e vajzave që ishin shpëtuar nga rrjetet e tregtisë së seksit. Ajo u shprehu vajzave mbështetje financiare dhe morale nga Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës në qendrën ku vajzave u ofrohet këshillim si dhe marrin kurse për të mësuar një profesion.
“Unë po ndihmoj përmes qeverisë dhe ambasadorit tonë që të mësoni anglisht dhe të zotëroni të gjitha aftësitë që ju nevojiten për të ndërtuar një jetë të pavarur kur të largoheni prej këtu”.
Hillari Klinton është Sekretarja e parë e Shtetit që viziton Kamboxhian që nga viti 2003.

XS
SM
MD
LG