Lidhje

Al-Assad premton mbështetje për përpjekjet për të sjellë paqe në Siri


Udhëheqësi i Sirisë, Bashar al-Assad premtoi se do të mbështesë, siç u shpreh ai, "një përpjekje të ndershme" për të sjellë paqen në vendit e tij të shkatërruar nga dhuna.

Media siriane shtetërore njoftoi se Presidenti al-Assad i bëri këto komente pas një takimi sot në Damask me ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Zoti Assad paralajmëroi gjithashtu se nuk mund të ketë një zgjidhje politike për sa kohë që terroristët lejohen të shkaktojnë kaos nëpër rrugët e vendit.

Këto komente udhëheqësi sirian i bëri ndërsa forcat e sigurimit vazhduan sulmet në qytetin veri perëndimor të Idlibit. Fotografi nga ky qytet tregojnë civilë, që ikin.

Ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan u takua me presidentin sirian Bashar Al-Assad në Damask në përpjekje për t’i dhënë fund dhunës në këtë vend të Lindjes së Mesme. Ndërkohë edhe ministrat e jashtëm të vendeve të Lidhjes Arabe po takohen sot në Egjipt për të diskutuar mbi gjendjen në Siri.

Kofi Anan ka bërë thirrje për një zgjidhje politike të krizës, duke paralajmëruar se përpjekjet për armatosjen e forcave rebele do ta përkeqësonin situatën atje. Para largimit nga Damasku, zoti Anan ka në plan të takohet me civilë sirianë.

Ndërkohë një grup i të drejtave të njeriut tha sot se forcat siriane kanë bombarduar qytetin veripërëndimor Idlib. Nuk dihet nëse ka patur të vrarë ose të plagosur në këto sulme.

Katari, vend anëtar i Lidhjes Arabe, në takimin e ministrave të jashtëm të kësaj organizate në Kairo ka thënë se ka ardhur koha për dërgimin e trupave arabe dhe trupave të huaja në Siri.

Edhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov mori pjesë në takimin e vendeve të Lidhjes Arabe në Siri. Rusia dhe Kina dy herë i kanë vënë veton propozimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do t’i bënin më shumë presion qeverisë së zotit Assad për t’i dhënë fund konfliktit. Ministri i jashtëm rus mbrojti qëndrimet e vendit të tij në lidhje me krizën në Siri.

“Ne nuk jemi duke mbrojtur ndonjë regjim. Ne jemi duke mbrojtur ligjin ndërkombëtar”, insistoi ministri Lavrov në një debat të nxehtë të Lidhjes Arabe në Kajro.

Duke folur pas ministrit Lavrov, kryeministri i Katarit kritikoi ashpër komentet e ministrit rus.

“Është një gjenocid dhe vrasje sistematike e civilëve nga qeveria siriane”, tha Sheik Hamad bin Jassem Al Thani.

Deri tani fuqitë përëndimore nuk kanë pranuar të ndërhyjnë në Siri. Ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan u emërua muajin e kaluar në rolin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes Arabe për Sirinë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike të krizës.

XS
SM
MD
LG