Lidhje

Kompanitë amerikane të makinave shënojnë rritje

  • Mil Arcega

Chevy Volt

Chevy Volt

Raportet e fitimeve nga tre kompanitë e mëdha amerikane në vitin 2011 flasin për një fillim të mbarë. Shitjet brenda vendit u rritën 18 përqind në muajin janar, duke sinjalizuar përmirësimin e kërkesave të konsumit në Shtetet e Bashkuara. Por duke patur parasysh se fitimet e kompanive të makinave varen gjithnjë e më shumë nga shitjet jashtë vendit, ka një shqetësim se kërkesat mund të shënojnë rënie në vendet me rritje të shpejta, si Kina.

Shitja e makinave pati rritje në janar, amerikanët blenë më shumë makina të mëdha se sa vitin e kaluar. General Motors shënoi 22 përqind rritje, Fordi 13 përqind, Chrysleri 23 përqind.

Pas recesionit që pothuaj vuri pranë falimentimit kompanitë General Motors dhe Chrysler, Jeremy Anwyl i firmës Edmunds.com thotë se tre kompanitë amerikane të makinave janë forcuar.

“Ato kanë arritur t’i ulin kostot e strukturave dhe janë të afta gjenerojnë të ardhura me volume më të vogla të shitjeve. Mendoj se çelësi i suksesit është kontrolli i kostos së marketimit dhe ecja në një hap me kërkesën e konsumatorëve.”

Por edhe me përmirësimin e shitjeve në vend, fitimet e kompanive amerikane të makinave varen nga tregjet e huaja. Vitin e kaluar, për herë të parë në historinë e tij 100 vjeçare General Motor-i shiti më shumë makina në Kinë se sa në SHBA, 2,5 milionë.

Ndërsa, Fordi vitin a kaluar shiti vetëm 600 mijë makina në Kinë.

J. Mays është nënpresident i repartit të dizenjos në kompaninë Ford.

“Kina është një treg i madh në rritje. Duke marrë parasysh popullsinë prej 1,4 miljard njerëzish në Kinë, parashikojmë që shitjet të jenë 14 milion makina në vit.”

Por rritja e shpejtë në këto tregje mund të pësojë ulje. Në rrugët e Kinës tani dalin rreth 2 mijë makina të reja çdo ditë, dhe Pekini ka filluar të vendosë kufizime për të lehtësuar trafikun.

Këto kufizime mund të ulin prodhimin. Por shitësi i makinave Su Qing thotë se deri tani kufizimet kanë patur ndikim të vogël.

“Këtë muaj ka patur rritje të madhe të shitjes së makinave. Ka mundësi që të dalin rregulla të reja për të vendosur kufizime, por nuk mendoj se ato do të kenë ndikim të madh në shitjen e makinave sepse familjet kanë nevojë për to.”

Pas rritjes prej më shumë se 30 përqind vitin e kaluar duke e bërë tregun më të madh të shitjes së makinave në botë, këtë vit numri i shitjeve në Kinë pritet të jetë më i ulët. Kompanitë amerikane të makinave kanë besim se makinat e tyre do të jenë të pranishme në treg. Por analistët thonë se rritja e çmimeve të karburantit është shqetësuese dhe mund të tkurrë kërkesat globale e t’i detyrojë konsumatorët të blejnë makina më të vogla, të cilat sjellin më pak të ardhura.

XS
SM
MD
LG