Lidhje

Administrata Trump dhe konferencat për shtyp


Anëtarë të lartë të administratës së presidentit të zgjedhur Donald Trump thanë se po shqyrtojnë mundësinë e lëvizjes së sallës së konferencave të shtypit në një ndërtesë tjetër me më shumë hapësirë, por gazetarët e kundërshtojnë propozimin duke thënë se kjo do të dëmtonte mundësinë e tyre për të punuar.

Konferencat zhvillohen në një sallë të Krahut Perendimor të Shtëpisë së Bardhë, që ka rreth 50 karrike dhe vende pune për television, radio dhe gazetarë të shtypit të cilët mbulojnë çdo ditë aktivitetet e presidentit.

Shefi i personelit të administratës Trump, Reince Priebus i tha të dielën kanalit ABC News se po diskutohej për ta lëvizur sallën e konferencave në një ndërtesë pranë Shtëpisë së Bardhë që ka një hapësirë rreth katër herë më të madhe. Ai citoi një numër gazetarësh që morën pjesë në konferencën e parë të shtypit të zotit Trump në Nju Jork, duke thënë se “do të ishte diçka e mirë” nëse përfshihen më shumë njerëz.

Nënpresidenti Mike Pence i tha kanalit CBS News se nuk është marrë ende vendim.

Presidenti i Shoqatës së Gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, Jeff Mason, u takua të dielën me zotin Sean Spicer, i cili si zëdhënës i shtypit do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencave të përditshme.

Mason tha se ia kishte bërë të qartë zotit Spicer se lëvizja nga Shtëpia e Bardhë do të ishte “e papranueshme".

Presidenti i zgjedhur Trump shkroi dje në Twitter se media duhet të kërkojë falje për raportimin e pretendimeve se Rusia kishte informacione kompromentuese rreth zotit Trump. Ai kritikoi gjithashtu kanalin NBC News dhe programin satirik Saturday Night Live, që e filloi episodin e fundit me një skeç nga konferenca për shtyp e zotit Trump.

XS
SM
MD
LG