Lidhje

Marrëveshja me Iranin në qendër të debateve në Kongres


Marrëveshja bërthamore me Iranin ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për të parandaluar bllokimin e saj nga Kongresi amerikan dhe ndoshta edhe dërgimin e një rezolute kundër saj tek Presidenti Barack Obama. Më shumë se 40 senatorë demokratë kanë shprehur mbështetjen për paktin, një numër i mjaftueshëm për të shmangur votimin për një rezolutë nëse përkrahësit e paktit bashkohen dhe e ndalin atë.

Senatorët u kthyen dje në Uashington pas pushimeve njëmujore, me një temë në qendër të vëmendjes.

“Çështja këtu është nëse Irani do të zhvillojë një armë bërthamore,” tha Senatori demokrat Richard Durbin.

“Unë e kundërshtoj zbatimin e marrëveshjes,” shprehet Senatori republikan Bob Corker.

Edhe kritikët më të ashpër e pranojnë se nuk kanë votat e mjaftueshme për të bllokuar marrëveshjen. Një votë paraprake kundër është e sigurt, por jo në senat ku rezoluta mund të mos marrë një votë përfundimtare, duke shmangur nevojën për një veto presidenciale.

“Çdo çështje me rëndësi në senat kërkon 60 vota, prandaj për miratim do të duhen 60 vota”.

Demokratët po kërkojnë një votë proceduriale me një shumicë tre të pestat për të marrë një votë përfundimtare për rezolutën. Nëse përkrahësit e marrëveshjes bërthamore që u arrit në korrik mes gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, bashkojnë forcat, ata mund ta bllokojnë rezolutën plotësisht. Në atë rast, pakti do të hynte në fuqi pa nevojën e një miratimi të plotë nga Kongresi.

“Senati nuk duhet të fshihet pas procedurave burokratike. Dhe unë i bëj thirrje çdo senatori që t’u bëjë ballë përpjekjeve për të penguar një votim përfundimtar dhe t’i mohojë popullit amerikan dhe kongresit fjalën e tyre për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Një votim kundër në Kongres, megjithëse mund t’i vendoset vetoja, është diçka e papreferueshme për Shtëpinë e Bardhë.

“Sigurisht, ne presim që ata anëtarë të Kongresit që mbështesin marrëveshjen të ndërmarrin hapat e duhur në Kongres për të mos lejuar Kongresin të minojë marrëveshjen”.

Cilido qoftë rezultati në Kongres, Uashingtoni do të vazhdojë të jetë skena e debateve të forta për marrëveshjen bërthamore, në fushatat presidenciale të kandidatëve kryesorë nga të dyja partitë.

XS
SM
MD
LG