Lidhje

Kontrolli i armëve dhe terrorizmi


LightUp 2018
LightUp 2018

Kanë kaluar gati dy javë që nga vrasjet masive, më të rëndat ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht thirrjeve publike për ligje të forta për kontrollin e armëve, Kongresi është në një rrugë pa krye. Ligjvënësit demokratë iu drejtuan një taktike të vitit 1960 të luftës për të drejtat civile, për të pasqyruar pakënaqësinë e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti shpjegon se si vrasjet në Orlando po ndryshojnë debatin.

“Merrini në telefon përfaqësuesit tuaj. Merrini në telefon republikanët.”

Një betejë e rrallë historike në Kongres ndërsa demokratët të pakënaqur me mos veprimin mbi ligjet e armëve, ndërmorrën një protestë 26 orëshe duke u ulur në dyshemenë e Kongresit para pushimeve verore. Ata përdorën Facebook-un dhe faqen Periscope për të transmetuar protestën drejtpërdrejt.

“Mund të na ndihmoni për ta fituar këtë betejë. ”

Por publiku është i ndarë në këtë pikë, edhe pas vrasjeve masive në një klub nate në Orlando. Një anketë e CNN-it tregon se vetëm pak më shumë se gjysma favorizon ligje më të rrepta të armëve. Por përkrahësit për ndalimin e armëve luftarake, përfshi të atij lloji që u përdor në Orlando, u rrit në 57% sipas një ankete të rrjetit CBS. Shumë fajësojnë lobin e prodhimit të armëve.

“Shoqata Kombëtare e Armëve nuk e drejton këtë vend dhe ne duhet të marrim kontrollin.”

Disa thonë se sulmi terrorist në Orlando pati një efekt të kundërt dhe i frikësoi njerëzit të veprojnë.

“Ka ndoshta një numër të konsiderueshëm njerëzish që thonë, ‘ndoshta duhet të kem një armë dhe të vetëmbrohem pasi ndoshta nëse kjo është koha e terrorizmit, policia mund të mos jetë në gjendje të më mbrojë’", thotë analisti Robert Cottrol.

Për shkak se Kongresi po vonon një veprim mbarë-kombëtar, disa shtete si Indiana, po miratojnë ligjet e tyre.

"Nuk ka asnjë shpresë se Uashingtoni do të bëj diçka. Gjykata e Lartë e ka bërë të qartë se ne lejohemi të kufizojmë armët automatike dhe duhet ta bëjmë këtë", thotë Ed DeLaney, demokrat nga Indiana.

Orlando solli një fokus tjetër në mitingjet kundër armëve: ndalimin e terroristëve të dyshuar, ata që janë në listat e FBI-së, të blejnë armë. Por zoti Cottrol parashikon se nuk do të ketë ndonjë ndryshim radikal së shpejti për armëmbajtjen. Një anketë nga organizata Pew thotë se 2 në çdo 5 amerikanë kanë armë.

XS
SM
MD
LG