Lidhje

Anketë: Korrupsioni, shqetësimi më i madh për shqiptarët


Në Tiranë, u publikua sot një anketim i opinionit publik, sipas të cilit, pjesa dërrmuese e qytetarëve mendojnë që problemi më i madh i Shqipërisë është korrupsioni. Një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është rritur dhe një pjesë thotë se kjo dukuri po frenohet. Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë të luftojë më fort krimin e organizuar dhe korrupsionin si pjesë e detyrimeve për antarësim.

Bashkimi Europian dhe Fondacioni për Shoqërinë e Hapur publikuan sot një studim mbi të ardhmen e europiane të Shqipërisë, ku anketimet zbuluan se 92 për qind e qytetarëve mendojnë që korrupsioni është problemi kryesor i vendit. Sipas studimit, perceptimi i lartë mbi korrupsionin i kalon edhe problemeve të tjera si papunësia dhe ekonomia.

Studimi tregoi që më shumë se gjysma e të anketuarve janë ndikuar personalisht nga korrupsioni dhe pothuaj të gjithë ata pohojnë se korrupsioni është njëlloj i përhapur në pushtetin qendror dhe atë vendor.

“92 për qind e njerëzve pohojnë se korrupsioni është problem kryesor. - thotë drejtuesja e Delegacionit Europian në Shqipëri Romana Vlahutin. - Por ata vetë nuk duhet të japin rryshfet për shërbimet publike, sepse ata paguajnë taksat për këtë. Ky bashkëpunim dëmton shtetin vetë dhe dobëson shërbimet si shkolla, kopshte, spitalet”.

Rreth 30 për qind e qytetarëve thanë se iu kërkua rryshfet për shërbime publike, ndaj mendojnë se korrupsioni u shtua 8 muajt e fundit, pjesa tjetër pohojnë që ai ka mbetur njëlloj apo ka një rënie të lehtë. Institucionet më të korruptuara që kërkonin ose prisnin rryshfete janë, sipas tyre, shëndeti publik, arsimi publik, politikanët dhe gjykatat.

“Institucionet dhe politikanët kanë për detyrë të paraqesin një plan të qartë për ndryshim dhe kanë përgjegjësinë të përmirësojnë mbizotërimin e ligjit në Shqipëri. - tha zonja Vlahutin.

Pas korrupsionit, qytetarët shqiptarë shprehen se problemet që ndeshin në këtë periudhë janë papunësia 45 për qind, krimi dhe vështirësitë ekonomike 30 për qind. Më shumë se gjysma e tyre shpresojnë se ekonomia shqiptare do të bëhet më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Megjithatë po aq qytetarë sa janë optimistë, janë edhe gati të largohen nga vendi.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë se BE duhet ta pranojë Shqipërinë si anëtare, për ta ndihmuar që të zhvillohet, edhe pse ajo nuk është gati. Fushat ku ata mendojnë se Shqipëria do të përfitojë nga BE janë pikërisht ato ku ata shohin një korrupsion të lartë, arsimi, ekonomia, dhe mirëqenia Shqipëria është midis tre vendeve të para në Europë me shkallën më të lartë të pabarazisë të të ardhurave.

Të ardhurat mesatare për person janë 80 euro në muaj, dhe shumica e tyre shkon për ushqime. Pjesa më e madhe e shqiptarëve e shohin Europën si një mundësi studimi dhe punësimi, por sërish doli në dritë një mungesë e madhe informimi për Bashkimin Europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG