Lidhje

Sipërmarrësit e rinj nga Kosova vizitojnë SHBA


Ata shpresojnë që këtë përvojë ta shfrytëzojnë kur të kthehen në Kosovë

Sipërmarrësit e rinj në Kosovë e kanë të vështirë të marrin hua nga bankat, thotë Shpend Lila, punonjës i një projekti të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Me ndihmën e këtij projekti për Sipërmarrësit e Rinj një grup të rinjsh nga Kosova këto ditë ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara për t’u njohur nga afër me praktikat e biznesit amerikan. Ata shpresojnë që këtë përvojë që po marrin nga takimet me biznesmenët amerikanë ta shfrytëzojnë kur të kthehen në Kosovë. Kolegu ynë Festim Gashi sjell hollësi.

Shpend Lila, i Projektit të USAID-it, i tha Zërit të Amerikës se sipërmarrësit e rinj në Kosovë kanë vështirësi për të marrë kredi nga bankat për financimin e planeve të tyre të investimeve. Problem tjetër janë normat e larta të interesit në Kosovë.

“Vështirësitë më të mëdha që kemi hasur deri tani janë marrja e kreditë. Bizneset e reja e kanë të vështirë të marrin kredi për realizuar një qind për qind planin e tyre të investimeve. Për këtë arsye ne kemi bërë një marrëveshje me bankat komerciale në Kosovë që t’u mundësojmë sipërmarrësve të rinj të marrin kredi. Vështirësi tjetër janë edhe normat e larta të interesit të kredive në Kosovë”.

Konsulenti i teknologjisë së informacionit Valon Canhasi, i cili po punon në ndërtimin e një motori kërkues në internet thotë se megjithëse rreth 42,5 për qind e popullatës në Kosovë ka qasje në internet, bankat dhe kompanitë që ofrojnë grante nuk investojnë në kompanitë dixhitale në Kosovë.

“Problemi i parë është se kompanitë të cilat ofrojnë grante dhe bankat nuk janë të gatshme të investojnë apo financojnë një projekt i cili gjendet vetëm online, që nuk mund të shihet ose të preket sepse te ne politikat janë të orientuara nga bujqësia dhe nga kompanitë të cilat punësojnë shumë njerëz. Ndërsa sa i përket kësaj fushe, është më e dobët sepse thjesht financimi fillestar i kompanive të cilat merren me shërbime online apo që janë botën dixhitale dhe virtuale”.

Sipërmarrësit e rinj nga Kosova kanë zhvilluar takime edhe në zyrën ligjore të kompanisë gjigande Mikrosoft. Zoti Canhasi tha se zyrtarët e Mikrosoftit u njohën me problemin e përfaqësimit të Kosovës si shtet në produktet e kësaj kompanie.

“Drejtori i Zyrës Ndërkombëtare Ligjore të Mikrosoftit më siguroi se do ta marrë në konsideratë këtë problem dhe do t’i njoftojë të tjerët që në shërbimet që ata ofrojnë ta fusin Kosovën në listë si një shtet pasi ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara”.

Bleta Zeqiri, pronare e përfaqësisë së çokollatës belge në Kosovë, thotë se zbatimi i të gjitha mësimeve që janë marrë nga vizita në Shtetet e Bashkuara është i vështirë.

“Është pak e vështirë të implementohen të gjitha gjërat ashtu siç janë në Amerikë. Por ne do të mundohemi t’i zbatojmë ato sepse bashkëpunimi ynë me SHBA-në i bën më të forta bizneset tona”.

Sipërmarrësit e rinj nga Kosova do të vizitojnë disa kompani në Pitsburg të Pensilvanisë dhe në Nju Jork. Ata shpresojnë që kjo përvojë t’i ndihmojë për zgjerimin e bizneseve të tyre.
XS
SM
MD
LG