Lidhje

Kosovë: Procesi i Stabilizim-Asociimit


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara t’i përmbushin të gjitha obligimet që dalin nga ky dialog

Zëvendësdrejtori për Zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte u bëri thirrje institucioneve në Kosovë që të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për Stabilizim Asociim, si hapa shumë të rëndësishëm për Kosovën drejt integrimeve evropiane.

Ai i bëri këto komente në takim me autoritetet në Prishtinë, në kuadër të takimit të tretë të dialogut të stabilizim asociimit me Kosovën, gjatë së cilës janë diskutuar kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë rreth këtij procesi.




Fillimi i këtij dialogu qe paralajmëruar që më 27 mars të këtij viti nga komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule, i cili atëbotë u dorëzoi autoriteteve të Prishtinës,dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Zëvendësdrejtori për Zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte tha se ky studim përfshinë të gjitha kriteret që duhet t’i përmbushë Kosova për t’u përfshirë në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Ai tha se Kosova duhet të përqendrohet në çështjet që janë të një rëndësie të posaçme për këtë studim.

“Pesë prioritet në agjendën evropiane janë reforma zgjedhore, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, integrimi i pakicave dhe tregtia. Të gjitha këto pesë pika ju i dini mirë dhe ato do të jenë pika kryesore që ne i kërkojmë me përkushtim të plotë politik të qeverisë por edhe nga institucionet tjera, posaçërisht nga Parlamenti”, tha zoti Korte.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha ndërkaq se institucionet e vendit janë të përkushtuara që t’i përmbushin të gjitha obligimet që dalin nga ky dialog dhe se për këtë ka konsensus të plotë në shoqërinë e Kosovës.

”Kosova është e gatshme dhe unike si politik, shoqëri civile, gjithë mekanizmi shoqëror të intensifikoj bashkëpunimin për të përballur me sfidat që janë para nesh. Pra, Kosova është unike pozitë- opozitë si dhe gjithë spektri nacional për perspektiven evropiane të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se zyra e tij do të ndihmojë institucionet vendase në plotësimin e kritereve.

“Ne si zyrë do të jemi në ndihmë të autoriteteve edhe në sigurimin e dokumenteve, menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha zoti Zhbogar.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se në vjeshtë do të dalin rezultatet e para të këtij studimi, me të cilin pritet t’i hapet rruga fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian, që është parakusht para se ajo të kërkojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Në të gjitha proceset Kosova përballet me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Fillimi i studimit të fizibilitetit u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të muajit mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, marrëveshje që i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG