Lidhje

Kosovë: Gjenerali i KFOR-it Buhler takohet me përfaqësues të Beogradit

  • Leonat Shehu

Kosovë: Gjenerali i KFOR-it Buhler takohet me përfaqësues të Beogradit

Kosovë: Gjenerali i KFOR-it Buhler takohet me përfaqësues të Beogradit

Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s, gjenerali Erhard Buhler, është takuar në orët e mbrëmjes me shefin e delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç dhe ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç. Në një njoftim të trupave paqeruajtëse thuhet se takimi ishte “shkëmbim i shkurtër dhe joformal të pikëpamjeve”. Takimi thuhet në njoftim është mbajtur në kampin e KFOR-it, në komunën e Leposaviqit. Në njoftim thuhet se gjenerali Buhler është takuar me përfaqësuesit e Beogradit, vetëm pasi protestuesit e kishin liruar rrugën.

NATO-ja ka bërë të ditur se do të vendosë forca shtesë në Kosovë nga radhët e trupave operacionale rezervë. Ky vendim pasoi kërkesën e komandantit të KFOR-it Erhard Buhler pas trazirave që përfshinë veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Aktualisht, KFOR-i ka më pak se gjashtë mijë trupa në Kosovë. Një pjesë e tyre prej një jave janë përqendruar në veri, për të rivendosur rendin pas dhunës që pasoi operacionin e njësive të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll dy vendkalime kufitare më Serbinë. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga grupe serbësh.

Forcat paqeruajtëse thonë se gjendja në veri është e qetë por e tensionuar, ndërsa po vazhdon bllokimi i rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare nga banorët serbë. Shefi i delegacionit të Serbisë për bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanoviç dhe ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviç thanë se bllokimi i rrugëve do të vazhdojë deri në zgjidhjen e situatës. Përfaqësuesit e Beogradit kanë kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, një kërkesë kjo e cila është hedhur poshtë nga Prishtina.

Ndërkaq, rreth zhvillimeve të ditëve të fundit, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, gjatë një intervistë për televizionit publik të Kosovës, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që mosmarrëveshjet të zgjidhen nëpërmjet rrugëve paqësore . Ai ka thënë se “barrikadat duhet të hiqen sa më shpejt dhe se KFOR-i dhe EULEX-i nuk duhet të pengohen nga askush në kryerjen e misioneve dhe detyrave të tyre. Është e papranueshme për Shtetet e Bashkuara që KFOR-i apo EULEX-i të konsiderohen armiq të Kosovës apo Serbisë”, ka thënë zoti Countryman.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën e kaluar një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG