Lidhje

Polemika Dell – Surroi


Veton Surroi dhe Christopher Dell
Veton Surroi dhe Christopher Dell

Ka një javë që në Kosovë, vëmendjen po e tërheq një përplasje ndërmjet ambasadorit amerikan, Christopher Dell dhe publicistit Veton Surroi

Këto ditë në Kosovë, vëmendjen e opinionit e ka tërhequr një polemikë ndërmjet ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell dhe publicistit Veton Surroi.

Zoti Surroi po përgjigjet me një seri shkrimesh ndaj një interviste të ambasadorit Dell dhënë gazetës Kosova Sot, në të cilën ai përmend disa hollësi nga një darkë private mes ambasadorit, kryeministrit Hashim Thaçi dhe publicistit Surroi.

Sipas rrëfimit të ambasadorit në takim publicisti Surroi kishte kërkuar postin e presidentit. Sipas ambasadorit Dell, zoti Surroi madje është lutur për postin e presidentit gjatë darkës në shtëpinë e ambasadorit diku në vjeshtën e vitit 2010.

Ambasadori Dell e ilustron këtë pohim me, siç ka thënë ai, edhe ndryshimin e qasjes së kompanisë Koha ndaj qeverisë së Kosovës, në periudhën kur pretendohet të jenë diskutuar këto çështje dhe më pastaj, qasje që sipas tij, është përcaktuar nga synimet e zotit Surroi për t’u bërë president.

Por, zoti Surroi në shkrimet e tij në Kohën Ditore, që janë ende duke vazhduar, ofron një tjetër shpjegim për rrjedhën e ngjarjeve.

Zoti Surroi thotë se ishte Ambasadori ai që ka këmbëngulur se do të ishte në të mirë të vendit dhe përfaqësimit të tij në botë, që ai të bëhej president, pas dorëheqjes së ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe shton se ai ka qenë dakort me këtë ofertë, por mohon që të jetë lutur, për këtë post, apo të jetë “zvarritur” për të, ashtu siç është interpretuar në shqip varianti që ofron ambasadori Dell.

Po ashtu zoti Surroi pretenton se në darkë ai është ftuar nga vetë ambasadori Dell. Sipas zotit Surroi, në takim ambasadori ka mbrojtur argumentin se zgjedhja e tij do të ndihmonte për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ, që sipas tij, ka kryeministri Thaçi në botë.

Duke shpjeguar versionin e tij të takimit, zoti Surroi thotë se ai nuk kishte besim tek kryeministri Thaçi, prandaj biseda për modalitet e zgjedhjes së tij si president duhej të zhvillohej në praninë e ambasadorit amerikan.

Zoti Surroi në shkrimet e tij, flet edhe për rolin e tij në angazhimet në politike, për marrëdhëniet e tij me kryeministrin Thaçi dhe padyshim atë që është thelbi i shkrimeve, marrëdhëniet me palën amerikane. Në shkrimet e tij zoti Surroi ngre edhe kritikën e përmendur edhe më parë ndaj ambasadorit Dell, atë të, siç thuhet, përfshirjes së tepruar të ambasadorit në zhvillimet në Kosovë.

Deri tani ambasadori Dell nuk iu është përgjigjur shkrimeve të zotit Surroi, ndoshta në pritje të përfundimit të ciklit të tyre.

Ky zhvillim pasoi fërkimet e mëparshme ndërmjet tyre, ndonëse marrëdhëniet e tyre kanë njohur edhe ditë të mira.

Ajo që bën përshtypje në këtë shkëmbim mes publicistit Surroi dhe ambasadorit amerikan, është nxjerrja e bisedave private ne publik. Ajo që shumë njerëz pyesin është se cili është shkaku i kësaj rrjedhjeje, gjera që deri tani jemi mësuar t’i shohim nga Wikileaks.

Por ndoshta përgjigjen e kësaj do ta japin vetë dy protagonistët në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG