Lidhje

Kosovë: Ritme të ulta njohjesh gjatë vitit 2010


Kosovë: Ritme të ulta njohjesh gjatë vitit 2010
Kosovë: Ritme të ulta njohjesh gjatë vitit 2010

Kosova po e mbyll vitin me 72 njohje të pavarësisë së saj të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Njohja e fundit është regjistruar më 19 nëntor, kur ajo u njoh nga Tuvalu. Numri prej 72 njohjesh nuk i ka lënë të kënaqur as autoritetet të cilët jo rrallë janë gjetur nën kritikat e shoqërisë civile e cila ka kërkuar angazhim më të madh. Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj konstatoi se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë, por edhe pas këtij opinioni Kosova është njohur vetëm nga tri shtete me gjithë pritjet e autoriteteve për një numër më të madh njohjesh. Zëvendësministrja e punëve të jashtme Vlora Çitaku, tha sot se kjo ministri nuk është e kënaqur me ritmin e njohjeve.

“Ne nuk jemi të kënaqur me dinamikën e njohjeve, thënë të drejtën kjo dinamik nuk është në proporcion me angazhimet që bënë Ministria e Punëve të Jashtme si dhe me koordinimin e fuqishëm që kemi me partnerët tanë ndërkombëtar. Me gjithë atë është e rëndësishme që procesi i njohjeve të mos ndalet dhe ky proces nuk është ndalur në vitin që po e lëmë pas dhe besojmë që do të ketë një dinamik në rritje në vitin që do të hyjmë”, tha ajo.

Zëvendësministrja në largim tha se raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili hodhi akuza ndaj kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për përfshirje ne veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore, ka ndikuar negativisht në pasqyrimin e situatës në Kosovë.

“Është për çudi të thuhet që ky raport vjen në një kohë kur Kosova kishte përgatitur tërë dosjen për aplikim e Kosovës në Këshillin e Evropës, me që edhe numerikisht ne kishim shumicën aty për aplikim dhe anëtarësim dhe një raporti i tillë padyshim do të ketë një efekt të drejtpërdrejt në shtyrjen e aplikacionit tonë për Këshillin e Evropës por do të prodhoj efekt edhe në njohje posaçërisht nga këto 5 vende të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha zëvendësministrja Çitaku.

Zëvendësministrja Çitaku tha se pret edhe angazhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë por edhe të shteteve tjera mike të Kosovës që të angazhohen për të kundërshtuar raportin e zotit Marty.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Shqipërisë Ilir Meta e ka cilësuar raportin e zotit Marty një frymëzim antishqiptar të atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimet e Kosovës dhe Shqipërisë. Gatë një vizite në Gjakovë me qëllim të falënderimit të qytetarëve të Kosovë për ndihmë dhënë gjatë vërshimeve në Shqipëri, zoti Meta, i siguroi qytetarët dhe institucionet e Kosovës se Shqipëria ka filluar dhe do të vazhdojë me intensitet një fushatë ndërkombëtare, që siç u shpreh ai, synon çmontimin e këtij raporti.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG