Lidhje

Gazetarët do të dërgojnë në kushtetuese Kodin penal



Përfaqësues të medieve në Kosovë, thanë se do të kërkojnë edhe nga Gjykata Kushtetuese një opinion lidhur me vendimin e Parlamentit për mos ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, i cili përfshinë nene që kanë të bëjnë me mediat.

Ky vendim u shpall sot nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës, kryetari i të cilit, Arben Ahmeti tha se, mediet do të vazhdojnë të luftojnë për të mbrojtur lirinë e shtypit në Kosovë.

“AGPK-ja në konsultim me të gjitha mediat, do t’i drejtohet Ombudspersonit me kërkesën që ai të shfrytëzojë kompetencën e tij, që ta dërgojë Kodin Penal me këto dy nene në Gjykatën Kushtetuese, për të dhënë një interpretim nëse këto dy nene bien ndesh me Kushtetutën”.



Parlamenti i Kosovës la në fuqi Kodin Penal të miratuar më 20 prill, i cili përfshinë nene në të cilat thuhet veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre të informimit për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Miratimi i tij bëri që zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, të paraqesë dorëheqjen nga ky post dhe nga posti i ministrit të drejtësisë. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, paralajmëroi ri procedimin e Kodit Penal në Parlament.

Vendimi i Parlamentit nxiti reagime edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët thanë se nenet e diskutueshme, janë në kundërshtim me konventat e Bashkimit Evropian, që mbrojnë lirinë e medias.

Shoqatat e gazetarëve kanë paralajmëruar protesta kundër Kodit, meqë, siç thuhet, ai e dëmton rëndë lirinë e shtypit por pasojat shtrihen edhe më tej.

Gazetarët tërheqin vërejtjen se edhe pa këtë Kod, Kosova është e radhitur ne mesin e vendeve më liri të pjesshme.
XS
SM
MD
LG