Lidhje

Kurti: Bisedimet me Serbinë bosnjëzojnë Kosovën


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë në vend që të bisedojë me Serbinë

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se duke biseduar me Serbinë pa kushte, Kosova po rrezikon bosnjëzimin e saj meqë Serbia po synon të krijojë një lloj shteti të vogël, brenda shtetit të brishtë të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Kurti thotë se platforma e Beogradit për bisedimet me Prishtinën dëshmon se qasja e Serbisë ndaj Kosovës ka mbetur e pandryshuar.



Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, tashmë ju keni shprehur qartazi qëndrimin tuaj kundër bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë ato po mbahen dhe javën tjetër pritet takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve. Bisedimet janë mbështetur nga të gjitha forcat politike në vend dhe diplomacia euro perëndimore. A nuk ndjeheni të vetmuar në këtë kundërshtim?

Albin Kurti: Po të organizohej një referendum në Kosovë lidhur me bisedimet për të ashtuquajturin normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sigurisht që populli do të deklarohej kundër. Mirëpo, referendumi sic e dini, nuk lejohet në Kosovë për asgjë asnjëherë dhe prandaj krijohet përshtypja për Kosovën në bazë të politikanëve konjuktural, të cilët janë treguar të gatshëm sërish që të negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë, kur dihet se Gjermania asaj i ka vënë shtatë kushte ndërsa SHBA i ka vënë kushte Serbisë. Besoj se vetëm duke e kushtëzuar Serbinë në do të mund të bëheshim sovran dhe prandaj lëvizja Vetëvendosje i kundërshton këto bisedime pa kushte për Serbinë dhe në të njëjtën kohë, besojmë që normalizimi i marrëdhënieve me një shtet anormal si puna e Serbisë do të përkthehet në abnormalizim të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, cila është alternativa zoti Kurti duke pasur parasysh situatën ekzistuese ndërmjet dy vendeve aktualisht?

Albin Kurti: Sovraniteti nuk është dialog me armikun, por është monolog brenda shtetëror e brenda kombëtar. Në duhet t’i kthehemi vetes sonë, institucioneve tona, ekonomisë sonë. Duhet të afrohemi, integrohemi e bashkohemi me Shqipërinë dhe gjithashtu të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë ata që na kanë njohur, me SHBA-të, me vendet kryesore të BE-së, Turqinë e kështu me radhë, në mënyrë që Kosova të bëhet ashtu sic është shpallur, pra e pavarur e sovrane. Nuk mendoj që duke biseduar me Serbinë ne bëhemi sovran. Përkundrazi, ekziston rreziku që të bosnjëzohemi me ç’rast Serbia e krijon një si lloj shteti të vogël, brenda shtetit gjithnjë e më të brishtë të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe a ka rrezik të ndodhë një gjë e tillë, duke pasur parasysh që tashmë Serbia edhe në platformën e saj ka kërkuar një autonomi në shkallë të gjerë për veriun e Kosovës?

Albin Kurti: Serbia nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj “autonomi brenda autonomisë”. Pra, në kuadër të autonomisë së Kosovës, siç e parasheh kushtetuta e saj, ata e duan autonominë e serbëve e cila nuk kufizohet vetëm në veriun e Kosovës. Dhe, një plan të këtillë do ta kishte nënshkruar menjëherë (Slobodan) Millosheviçi. Kjo u vërtetua që kemi të bëjmë pra me pasardhësit e e drejtpërdrejtë politik të Millosheviçit dhe (Vojislav) Sheshelit, në formën e (Ivica) Daçiçit dhe (Tomislav) Nikoliçit që e kanë edhe qëllimin edhe qëndrimin e njëjtë antishqiptar. Më 17 janar është paraparë që të fillojnë tash bisedimet edhe për veriun e Kosovës dhe përfundimisht po shkelet edhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e datës 19 tetor të vitit të kaluar, atëherë kur u tha se kjo rezolutë do të mbrojë sovranitetin dhe nuk do të lejojë që të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Besoj që gjithçka ka filluar para rreth një viti, atëherë kur grupi parlamentar i PDK-së, i ndërsyer prej qeverisë së Kosovës e kaloi një rezolutë për marrëdhënie asimetrike me Serbinë në formën e kundërshtimit të lëvizjes Vetëvendosje e cila më herët e kishte kaluar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për reciprocitet të plotë më Serbinë. Dhe më 20 janar të vitit të kaluar, këta e kaluan rezolutën kundër reciprocitetit me Serbinë dhe që prej atëherë është intensifikuar marrëdhënia asimetrike me Serbinë në çdo aspekt.

Zëri i Amerikës: Në veri kemi një situatë që kërkon zgjidhje. Duke pasur parasysh veçantitë e situatës në veri, si mund të zgjidhet ajo situatë sipas jush?

Albin Kurti: Duhet që qeveria e Kosovës të mos lejojë asnjë shqiptarë të shes pronën e vet e ta blejë Serbia. Nëse ka shqiptarë që për shkak të varfërisë dhe papunësisë detyrohen të bëjnë një gjë të tillë, le ta blejë atë pronë qeveria e Kosovës. Duhet që të kthehen shqiptarët nëpër banesat dhe shtëpitë e tyre. Nëpër lagjet me shqiptarë duhet të ndërtohen nënstacione policore, sepse renovimi e rindërtimi i shtëpive nuk ka kuptim pa sigurinë atje. Duhet të revitalizohet Trepça e cila do të bënte punësimin e njerëzve pa dallim kombësie. Sipas ekspertëve të Vetëvendosjes, nëse investojmë më pak se 200 milion euro do të arrijmë të fitojmë afër 500 milion euro në eksporte të metaleve të përpunuara dhe gjysmë të përpunuara nga gjiganti Trepça, që paraqet kompleksin kryesor industrial të Kosovës, jo vetëm në historinë tonë ekonomike, por edhe në të ardhmen tonë si mundësi për zhvillim. Mandej do të duhej që të bëheshin kallëzime penale, aktakuza dhe arrestime të atyre, pikë së pari 300 – 400 pjesëtarëve të MUP-it famëkeq të Serbisë dhe gjithashtu do të duhej që të priteshin financat e atyre strukturave. Para se të bëhen të gjithë këta hapa, mendoj që me dy proteza, Kosova del në ofensivë karshi Serbisë. E para, duke thënë që me Daçiçin dhe Nikoliçin nuk negociojmë për Kosovës dhe duke ja shpjeguar BE-së se këta janë shprehje e mungesës absolute të një lloj denacifikimi në Serbi. Dhe së dyti, duke mos lejuar që Kosova të jetë edhe më tutje treg i mallrave të Serbisë. Ne e dimë që në luftën e fundit na i kanë shkatërruar, djegur, dëmtuar rreth 120 mijë shtëpi dhe tash ata të na shesin mallra,pa na kërkuar falje dhe pa na paguar asnjë cent dëmshpërblim për atë çfarë kanë bërë këtu, është absurde. Asnjë shtet normal nuk do ta toleronte një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, aktualisht në Luginën e Preshevës është krijuar një situatë e rënduar për shkak të përplasjeve rreth pllakës përkujtimore kushtuar UCPMB-së.Si mund të tejkalohet kjo situatë?

Albin Kurti: Shqiptarët në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Kosovën lindore janë popullsi autoktone. Kufiri që ndanë Luginën e Preshevës me Kosovën, nuk është kufi i Kosovës, por i Serbisë. Dhe në këtë aspekt mendoj që ata kanë të drejtë të ngrisin zërin e tyre, të thonë fjalën e tyre dhe të vendosin për fatin e tyre. Kosova dhe Shqipëria duhet t’u ndihmojnë sepse këtë gjë e kanë për obligim. Edhe pavarësia e Kosovës edhe më herët pavarësia e Shqipërisë, janë realizuar duke ju falënderuar gjithë shqiptarëve në Ballkan edhe atyre në mërgatë. Dhe mos të harrojmë se ata që mbeten jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, e kanë paguar çmimin më të madh. Në anën tjetër, përshtypja ime është që qeveria e Kosovës, tash nëpërmjet disa medieve që ajo i dirigjon, e ka ngritur shumë çështjen e Luginës së Preshevës dhe për bindjen time, kjo është një lloj dëshmie që marrëveshja që po gatuhet për veriun e Kosovës është tepër e keqe, andaj qeveria po përpiqet të shpurdhë ca në Luginën e Preshevës. Angazhimi i qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës, për bindjen time, është tepër pak, tepër vonë dhe jo aq e sinqertë. Ata njerëz kanë nevojë që të ndihmohen, kanë nevojë që të mbrohen, mirëpo, është hipokrizi që në njërën anë të bësh negociata me Daçiçin për Kosovën e në anën tjetër t’u thuash shqiptarëve në Luginën e Preshevës se unë ju mbroj juve nga Daçiçi.

Zëri i Amerikës: Si do të duhej të bëhej kjo zoti Kurti? Çfarë mund të bëjë Prishtina që të mbrojë shqiptarët në Luginën e Preshevës?

Albin Kurti: Edhe Prishtina zyrtare edhe Tirana zyrtare, do të duhej që në aspektin e arsimit, kulturës, shëndetësisë, t’i ndihmojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës edhe financiarisht e materialisht. Por, në të njëjtën kohë do të duhej që të ndihmojnë edhe organizimin e tyre politikë, në mënyrë që ata të jenë shumë më të fuqishëm, sepse nuk ka ndryshime pa fuqi dhe nuk ka fuqi pa organizim. E atje shqiptarët janë ndarë në tepër shumë parti për aq pak popullsi sa janë. Kanë nevojë të bashkohen, mirëpo ky bashkim vjen prej Tiranës e prej Prishtinës më parë sesa prej atyre vet. Në të njëjtën kohë edhe qytetarët shqiptar që janë atje duhet të ndihmohen në çdo aspekt, në mënyrë që të mos jenë aq të varfër sa të detyrohen të emigrojnë jashtë dhe të jenë të parët që e shfrytëzojnë liberalizimin e vizave në Serbi. Kë nevojë për prodhim, ka nevojë të lidhet ngushtë Anamorava me Luginën e Preshevës dhe kësisoj të mundësohet që shqiptarët të kenë më të fuqishëm pozicionin e tyre edhe në aspektin politik edhe ekonomik.

Zëri i Amerikës: Por, nëse të zëmë para datës 17 janar ka një ndërhyrje për heqjen e pllakës përkujtimore në Preshevë, si do të duhej të vepronte Prishtinë në një rast të tillë? A do të kishte forcë ajo që të ndihmojë shqiptarët atje?

Albin Kurti: Nuk e dimë se sa forcë ka Prishtina zyrtare, por po ashtu nuk e dimë me saktësi edhe sa vullnet politik ka për të ndihmuar. Por, mendoj se nuk e sjell forca vullnetin por vullneti forcën. Dhe së dyti, pavarësisht sa do të mund të kemi fuqi në fund, janë disa gjëra që i kemi obligim. Dhe ata shqiptarë atje duhet ndihmuar. Ata po organizohen që të mbrojnë monumentin e UCPMB-së, që është simbol i luftës së tyre çlirimtare dhe në të njëjtën kohë është edhe dëshmi e historisë që kanë shqiptarët me Serbinë. Pra, Serbia duke e luftuar atë monument, nuk po e lufton vetëm të tashmen e shqiptarëve aty, por po e lufton edhe historinë e shqiptarëve në mënyrë që t’ua nxijë jetën atyre në të ardhmen. Serbia nuk është vetëm kundër pavarësisë së Kosovës. Edhe kur e kemi pasur autonominë, na e suprimuan. Pra, ata janë kundër shqiptarëve. Prandaj, qëndrimi i tyre antishqiptar është më i thellë sesa qëndrimi kundër pavarësisë. Por, duket që politikanët shqiptarë në përgjithësi e kanë harruar këtë gjë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ju angazhoheni që në vend të bisedimeve me Serbinë të bisedohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mendoni se është i mundur një projekt i tillë?

Albin Kurti: Sërish, mundësia lindë prej vullnetit. Ajo çfarë duket e paimagjinueshme ndoshta për dikë sot, bëhet mese e mundshme nesër si rezultat i vullnetit popullor e institucional të Kosovës dhe Shqipërisë. Para pak vitesh, Gallup International ka bërë një sondazh dhe përfundimi ishte që në Shqipëri njerëzit që janë për bashkimin Kosovës me Shqipërinë janë rreth 63 për qind, ndërsa në Kosovë 81 për qind. Në kohën kur nuk na lejohet referendumi. Porsa të na lejohej referendumi atëherë me siguri që kjo përqindje do të ishte edhe më e madhe. Por, ta kemi parasysh që nuk duhet të bashkohet Shqipëria me Kosovën, por Kosova me Shqipërinë. Nuk duhet ta fusim edhe Shqipërinë nën EULEX tash, nën protektorat ndërkombëtar. Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë dhe kufirin që e ndanë Kosovën me Shqipërinë, të hiqet njëherë e përgjithmonë, sepse ai kufi është vendosur para një shekulli nga të huajt dhunshëm, pa pjesëmarrjen tonë. Ai kufi duhet të hiqet nga ne, me pjesëmarrjen tonë në referendum në mënyrë paqësore dhe sigurisht që kur do të jemi serioz në këtë angazhimin tonë, atëherë nuk do të mungojnë miqtë që do të na ndihmojnë.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kurti fundi i vitit që lamë pas kaloi në shenjë edhe të angazhimeve të udhëheqësve të të dyja vendeve për bashkim kombëtar. A nuk ua merr nga duart juve këtë projekt një qasje e tillë?

Albin Kurti: Shpresoj ta realizojnë, sepse nëse na e marrin projektin tonë, atëherë kjo është një gjë shumë pozitive dhe aq më tepër që as ne nuk e kemi shpikur këtë projekt. Ta zëmë, parulla kryesore në vitin 1968 në Prishtinë, ka qenë Vetëvendosje. Shumica dërmuese jona nuk ka qenë e lindur në atë kohë. Pra, ne po e vazhdojmë një rrugë që është nisur më herët, e që ka të bëjë me thirrjen e shqiptarëve për liri, për barazi me kombet tjera. Dhe në këtë aspekt është mirë që sa më shumë parti politike shqiptare gjithandej këtyre kufijve që na ndajnë padrejtësisht, të fusin në programet e tyre, çështjen e bashkimit kombëtar. Por, me një vërejtje substanciale, që bashkimi kombëtar nuk bën të paraqitet i kufizuar në sferën e kulturës, arsimit, sportit, por duhet të shtrihet edhe tek institucionet, politika dhe sidomos ekonomia e ushtria. Në anën tjetër, bashkimi kombëtar nuk duhet të përfundojë te regjistri i emocionit dhe i së kaluarës, por të shtrihet edhe tek regjistri i të menduarit dhe së ardhmes. Në këtë aspekt bashkimi kombëtar nuk mund të zëvendësohet prej Bashkimit Evropian. Por, në të njëjtën kohë, as nuk është në kontradiktë me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Në të gjitha proceset politike, por edhe në çështjet si privatizimi ju jeni gjetur disi, në anën tjetër, domethënë vetëm kundër të gjithëve. A po rrezikoni kësisoj një formë të izolimit zoti Kurti?

Albin Kurti: Izolimi i vetëm që mund t’i ndodhë lëvizjes Vetëvendosje është izolimi prej qytetarëve të Kosovës dhe prej shoqërisë, gjë që nuk ka ndodhur, nuk do të ndodhë dhe kemi lëvizje në drejtim të kundërt, ku ne gjithnjë e më shumë po lidhemi me interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe ata po e shohin këtë gjë. Në Kosovë, kemi në aspektin socio ekonomik një lloj kaosi strategjik. Kaos për shkak të kësaj qeverie, kaos strategjik për shkak të neoliberalizmit. Edhe privatizimi i egër edhe sundimi i ligjit, hiqen se e luftojnë korrupsionin. Privatizimi dhe sundimi i ligjit janë në një garë jo fer për luftimin e korrupsionit. Dhe këtë garë në mënyrë absolute po e fiton privatizimi, me ç’rast korrupsioni jo që s’po luftohet, por po shtohet. Përderisa kemi sundim të ligjit me ligje përgjithësisht të mira, që nuk zbatohen, kemi privatizim që zbatohet në mënyrë shumë të efektshme, pa ligj. Privatizimi në Kosovë është ilegal e për bindjen time edhe kriminal. Prandaj, ne e kundërshtojmë këtë privatizim dhe mendojmë që sovraniteti dhe demokracia duket të shtrihen edhe në sferën e ekonomisë, sepse për ndryshe do t’i humbim që të tria këto. Ne jemi që ta kemi shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social të lidhura në një trekëndësh dhe pikërisht këtë gjë e kemi bërë në alternativën tonë qeverisëse që përmban 19 kapituj në mbi 250 faqe, e të cilën përfundimisht do ta miratojmë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të përgjithshëm të lëvizjes Vetëvendosje më 20 janar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG