Lidhje

Jacobson: Korrupsioni – sfida më e madhe e Kosovës


Ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson i bëri këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit të 116 studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Përfaqësues të institucioneve arsimore dhe organizatave ndërkombëtare, thanë sot në Prishtinë se Kosova ndodhet në një epokë të re të zhvillimit të saj si një faktor pozitiv politik dhe ekonomik në rajon, por ajo përballet me sfida të mëdha siç është lufta kundër korrupsionit.

Ata i bënë këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit 116 të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, një ndër institucionet e para të arsimit të lartë jo publik në Kosovë, i themeluar në vitin 2003.

Presidenti i këtij universiteti Winfred Thompson, tha se dita e sotme shënon mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një kapitulli të ri në jetën e të diplomuarve.“Çdo vend ka nevojë për talentet më të mira të reja dhe kjo vlen posaçërisht për vende të reja si Kosova ku e ardhmja premton shume por bart në vete edhe shumë rreziqe”, tha ai duke shfaqur shpresën që arsimimi në Universitetin amerikan e ka forcuar përkushtimin e të rinjve për të punuar jo vetëm për suksesin personal por edhe për përmirësimin e vendit dhe shoqërisë.

​Oratorët nënvizuan rolin e këtij Universiteti në një periudhë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Richard Lukaj, kryetar i Bordit të Universitetit i ndau mirënjohje ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson për punën e saj në shërbim të një botë më të sigurt, më demokratike e përparimtare dhe në interes të popullit amerikan dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane vlerësoi arritjet e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, por tërhoqi vërejtjen edhe në sfidat që ndodhen para saj, duke vënë theksin tek korrupsioni.

Dua ta nënvizoj këtë çështje tani sepse korrupsioni sipas meje pas tre vjet qëndrimi këtu është sfida më e madhe me të cilën përballet ku vend”, tha ajo, duke u bërë thirrje të diplomuarve që të punojnë për të mirën e vendit të tyre, duke shfrytëzuar mundësitë dhe arsimimin e fituar në këtë universitet.

Universiteti Amerikan në Kosovë u themelua në vitin 2003 me synimin për të ofruar një edukim të cilësisë së lartë amerikane, për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Por, gjatë këtyre viteve në këtë institucion kanë studiuar edhe të rinj nga vende tjera të rajonit.

XS
SM
MD
LG