Lidhje

Konfirmohet akuza kundër Bujar Bukoshit


Një gjykatës i EULEX-it konfirmoi akuzën kundër ish zv/kryeministrit të Kosovës dhe një grupi ish zyrtarësh të shëndetësisë për korrupsion.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se është konfirmuar pjesërisht aktakuza kundër Ilir Tolajt, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Bujar Bukoshit, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe kundër gjashtë të tjerëve për një varg veprash që ndërlidhen me korrupsionin.

Një gjyqtar i këtij misioni ka konfirmuar të gjitha pikat e akuzës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për tentim të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, keqtrajtime gjatë ushtrimit të detyrave, marrje të ryshfeteve, evazion tatimor dhe pengesë të dëshmive.

Gjyqtari hodhi poshtë ndërkaq akuzat për keqpërdorim të autorizimit ekonomik, lidhje të kontratave të dëmshme dhe nxjerrje të vendimeve gjyqësore të paligjshme.

Aktakuza kundër zotit Bukoshi dhe të tjerëve ishte ngritur në fillim të muajit korrik të këtij viti dhe kishte të bënte me periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Zoti Bukoshi, gjatë viteve të 90-ta u bë i njohur si kryeministër i qeverisë së shqiptarëve të Kosovës në mërgim, ndërsa pas luftës ai për një periudhë themeloi një parti të re politike, për t’u rikthyer sërish në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010, ai u bë pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri Thaçi dhe deri në publikimin e akuzës mbante postin e njërit nga zv/kryeministrat e vendit. Pak ditë pas shpalljes së akuzës që u vërtetua sot, ai u lirua nga kjo detyrë.
XS
SM
MD
LG