Lidhje

Lunacek: Serbia të shpërbëjë strukturat në veri të Kosovës


Eurodeputetja, Ulrike Lunaçek, tha se pa shpërbërjen e strukturave të sigurisë në veriun e Kosovës, Serbia nuk mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, tha sot se Serbia nuk mund të marrë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa shpërbërjen e strukturave të saj të sigurisë dhe drejtësisë në veriun e Kosovës.

Gjatë një vizitë në Prishtinë ajo tha se një zgjidhje për këtë çështje mund të pritet në raundin e ri të bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Të dy kryeministrat pritet të takohen më 19 dhe 20 shkurt në Bruksel, për të diskutuar situatën në veri dhe rrugët e shpërbërjes apo transformimit të strukturave të mbështetura nga Beogradi.

Takimi i javës së ardhshme vlerësohet si hyrje në periudhën më të rëndësishme të bisedimeve që brenda disa javësh duhet të çojnë në një marrëveshje kuadër për veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Zonja Lunacek tha se disa nga vendet e Bashkimit Evropian janë shumë të prera në këtë çështje.

Ato i thonë Serbisë që nëse ajo nuk shpërbën strukturat paralele në veri, posaçërisht në fushën e sigurisë, përkatësisht policinë serbe dhe gjyqësorin, atëherë Serbia nuk do të mund t’i hap negociatat me Bashkimin Evropian”, tha ajo duke nënvizuar se në këtë kuadër “ta zëmë duhet të ketë një proces të përfshirjes së policëve serbë me nënshtetësi të Kosovës në policinë e saj. Kjo kërkon një shenjë të qartë të kryeministrit Daçiç në Beograd, se ai e dëshiron këtë gjë, dhe se qeveria e Serbisë dëshiron që serbët e Kosovës të shërbejnë nën autoritetin e qeverisë në Prishtinë”, tha Lunacek.

Sipas saj i njëjti parim duhet të zbatohet edhe për nëpunësit e sistemit gjyqësor.

Ajo tha se edhe Prishtina zyrtare duhet të bëjë më shumë për serbët e veriut, dhe të mos mjaftohet me faktin se ka hapur një zyrë administrative në veri.

Prishtina tha ajo duhet të bëjë me shumë për sundimin ligjit në tërë territorin e saj dhe në të gjitha fushat. “Natyrisht që një çështje që është ende problem i madh, është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha zonja Lunaçek, duke nënvizuar se kjo çështje mbetet shqetësuese për Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG