Lidhje

Shpërthim në KEK – dy të vdekur nxirren nga rrënojat


Një shpërthim në Termocentralin Kosova A afër Prishtinës ka lënë pas vetes dy të vdekur e 14 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm në termocentralin Kosova A, la pas vetes të vdekur dhe të plagosur. Tre persona sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës kishin mbetur nën rrënoja në vendin e shpërthimit. Prej andej nje u nxor i gjallë, ndërsa dy të tjerët pa jetë.

Vendi ku ka ndodhur shpërthimi vlerësohet i rrezikshëm dhe kjo gjatë ditës ka penguar kërkimet.


Shperthimi ne termocentralin Kosova A
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00


Vendi ku ka ndodhur shpërthimi vlerësohet i rrezikshëm dhe kjo ka penguar gjatë ditës kërkimet.

Ende nuk janë të njohura shkaqet që çuan në shpërthimin në këtë termocentral që ndodhet vetëm pak kilometra në perëndim të Prishtinës, por zyrtarët mendojnë se disa bombola me hidrogjen mund të kenë shkaktuar shpërthimin e sotëm. As vet punëtorët që kishin pësuar plagë nga shpërthimi nuk arrinin të shpjegonin se si ka ndodhur ai.

Pas shpërthimit 14 veta kanë kërkuar ndihmë mjekësore por, sipas Basri Lenjanit nga spitalet e Prishtinës, asnjëri nuk është në rrezik jete.

Termocentrali Kosova A ku ka ndodhur shpërthimi është njëri nga dy prodhuesit e energjisë elektrike në Kosovë që përdorin qymyrin linjit. Kosova A është termocentrali më i vjetër dhe një nga ndotësit më te mëdhenj të mjedisit në Kosovë. Autoritetet vendase e ndërkombëtare kanë planifikuar mbylljen e tij gjatë viteve të ardhshme, krahas planeve për ndërtimin e një termocentrali të ri.

Përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, thonë se ngjarja e sotme është rrjedhojë e kushteve të rënda të punës të cilat kanë bërë që nga viti 1999, më shumë se 30 punëtorë të humbin jetën në aksidente të ndryshme.

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, bëri thirrje për masa të menjëhershme për të rritur sigurinë në punë, duke marrë parasysh numrin e lartë të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës në këtë korporatë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Ndërsa Avokati i popullit nëpërmjet një komunikate tha se nga bisedat dhe kontaktet në vendin e ngjarjes me persona që njohin rrethanat dhe kanë qenë afër vendit të fatkeqësisë në momentin e shpërthimit, përfundohet se gjendja e infrastrukturës së Termocentraleve nuk e ofron sigurinë e nevojshme për jetën e punonjësve dhe mungojnë masat e mjaftueshme për mbrojtjen në punë. Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha organet përgjegjëse hetimin e plotë të këtij rasti dhe ndërmarrjen e të gjitha masave për parandalimin e fatkeqësive të tilla në të ardhmen.

Udhëheqës institucionesh e partish politike vizituan sot vendin e ngjarjes dhe të plagosurit duke bërë thirrje për siç thuhet solidaritet me familjet e atyre që pësuan në ngjarjen e sotme. Ata morën telegrame ngushëllimi dhe mbështetjeje edhe nga autoritetet më të lartë të Shqipërisë.

Për shkak të shpërthimit partitë politike në Kosovë pushuan të gjitha veprimtaritë tyre të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.
XS
SM
MD
LG