Lidhje

Kosovë: Aktakuzë ndaj Enver Hasanit


Prokuroria e Posaçme e Kosovës akuzoi të premten ish rektorin e Universitetit të Prishtinës Enver Hasani dhe dy të tjerë për veprën ‘mashtrim në detyrë’.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të premten një aktakuzë për mashtrim në detyrë, kundër Enver Hasanit, ish rektor i Universitetit të Prishtinës dhe ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Hakif Veliut, ish shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Prishtinës dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Sipas aktakuzës, të tre ata “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”. Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65 euro për një mijë fjalë kanë shënuar çmimin 12.65 euro për një mijë karaktere. Në këtë mënyrë të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70 mijë e 426 eurosh”.

Në njoftim thuhet se “kontratën e falsifikuar, me datën 13 dhjetor 2008, i pandehuri Enver Hasani, e ka dërguar në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi, i cili e ka nënshkruar dhe vulosur atë në emër të Institutit. Duke e shfrytëzuar kontratën e falsifikuar, i pandehuri Albert Rakipi, më datën 13.07.2009, e ka dërguar në Universitetin e Prishtinës, faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere” në shumë të përgjithshme prej 87 mijë eurosh, të cilën pagesë e ka lejuar i pandehuri Hakif Veliu. Gjithashtu, më datën 02.12.2009, i pandehuri Albert Rakipi ka dorëzuar në Universitetin e Prishtinës edhe një faturë për përkthimin e njëmbëdhjetë librave, të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, në shumë prej 299 mijë eurosh, e cila faturë nuk është paguar dhe për të cilën ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh”.

Me këto veprime, thuhet në njoftimin e prokurorisë “të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “mashtrimi në detyrë”.

XS
SM
MD
LG