Lidhje

Kosovë, më shumë qytetarë identifikohen me fenë para kombësisë

  • Leonat Shehu

Kosova, Prishtina

Kosova, Prishtina

Një studim i publikuar nga Instituti për Hartimin e Politikave KIPRED në Prishtinë, nxjerr në pah se në Kosovë është duke u rritur numri i qytetarëve që identifikohen me religjionin para përkatësisë së tyre kombëtare. Këto pohime janë nxjerrë në hulumtimin me titullin “Çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës. Ndikimi i religjionit në identitetin etnik në periudhën e shtet-ndërtimit". Hulumtimi vë në pah se standardi i jetesës nuk është përcaktues i bashkëjetesës fetare, mos tolerancës fetare dhe ekstremizmit.

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, tha se hulumtimi tregon për ndryshimet që po ndodhin tek qytetarët e Kosovës drejt rrugës së tyre fetare, dhe sipas tij kjo sfidon gjendjen socio-ekonomike për shpjegimin e mos tolerancës fetare dhe ekstremizmit në Kosovë.

57 për qind e shqiptarëve myslimanë e ndjejnë veten shqiptar së pari pastaj mysliman. 32 për qind e ndjejnë veten së pari mysliman e pastaj shqiptar dhe kjo është ajo zhvendosja shumë e madhe identitare, ku identiteti shqiptar shndërrohet në identitet luingistik dhe është ai drejtimi që po e merr drejt për këtë pjesë të shoqërisë, si një shoqëri religjioze- etnike në vend që të ishte etnike dhe pastaj me elemente religjioz qysh kanë qenë përpara shqiptarët”, tha zoti Peci.

Ai tha se shqetësim i madh mbetet trendi i rritjes së kësaj forme të paraqitjes së identitetit.

Nëse ky trend vazhdon me këtë ritëm, do të shënonte përfundimin e shqiptarisë ashtu si e njohim ne dhe me të së bashku edhe fundin e Kosovës sekulare dhe pro-perëndimore. Kjo nëse vazhdon me këtë ritëm në dy dekadat e ardhshme ka gjasa shumë të mëdha që shoqëria e Kosovës ta merr këtë rrugë”, tha zoti Peci.

Hulumtuesi i Instituti për Hartimin e Politikave, Agon Demjaha tha se organizatat fetare islamike janë faktori i parë i jashtëm që ka ndikuar në rritjen e fetarizmit tek shqiptarët e Kosovës.

Mirëpo, realisht agjendat e tyre parësore kanë shkuar përtej fetarizimit të thjeshtë, ka shkuar në drejtim të promovimit të një islami politik, ka shkuar në një rezistencë të sekularizimit të shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe ka shkuar në drejtim të zbehjes së identitetit kombëtar shqiptar të shqiptarëve të Kosovës apo myslimanëve të Kosovës të themi, në favor të atij fetar duke promovuar një islam radikal”, tha zoti Demjaha.

Zoti Demjaha tha se institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë pasur një qëndrim të paqartë kundrejt radikalizmit islamik në Kosovë. Ai tha se ata kanë dështuar në luftimin e nxitjes së urrejtjes fetare, mbrojtjen e heronjve kombëtarë dhe shoqërisë në përgjithësi në Kosovë.

Për fat të keq krijohet bindja se partitë kryesore në Kosovë, përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë koketuar me këto rryma radikale islamike në Kosovë për të shtuar mbështetjen elektorale në zgjedhjet eventuale”, tha zoti Demjaha.

Zoti Demjaha tha se institucionet e Kosovës kanë anashkaluar problemin e rritjes së radikalizmit në Kosovë. Ai tha se një studim i kryer që në vitin 2004 kishte nxjerrë në pak këtë problem. Ai tha se dalja në skenë e grupit terrorist ISIS ka nxjerrë në pah sfidat e Kosovës.

Mund të tingëllojë ironike apo paradoksale por në një farë mënyre ISIS-i i ka bërë një shërbim Kosovës sepse është ai që zgjoi nga gjumi institucionet e përgjumura të Kosovës që më në fund filluan të reagojnë”, tha zoti Demjaha.

Studimi nxjerr në pah nevojën që sistemi i drejtësisë të zbatojë kuadrin ligjore ndaj gjuhës së urrejtjes fetare dhe etnike si dhe predikimit të ekstremizmit. Po ashtu në hulumtim bëhet thirrje që Kosova të shqyrtojë marrëdhëniet me Turqinë lidhur me ndikimin fetar nëpërmjet investimeve të kësaj të fundit tek qytetarët e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG