Lidhje

Jeta Xharra nderohet për nxitje mirëkuptimi


Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, me seli në Vjenë, njofton se gazetarja nga Kosova, Jeta Xharra, është fituese e çmimit “Dr. Erhard Busek – SEEMO” që ndahet për “mirëkuptim më të mirë në Evropën Juglindore”.

Në një njoftim të kësaj organizate thuhet se çmimi i është ndarë zonjës Xharra për “kontributin e saj në procesin e demokratizimit dhe të mirëkuptimit në Evropën Juglindore”.

Që nga viti 2005, zonja Xharra është drejtoreshë e “Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese” (BIRN) në Kosovë, si dhe redaktore dhe prezantuese e emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili kombinon gazetarinë hulumtuese me debatin, thuhet mes tjerash në arsyetimin për ndarjen e çmimit. “Ky emision shfaqet një herë në javë në Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe ka thyer kufijtë e debatit, duke ftuar autoritetet për llogaridhënie dhe diskutimin e temave tabu për shoqërinë”.

BIRN në Kosovë ka 70 gazetarë e bashkëpunëtorë.

Çmimi që i është ndarë zonjës Xharra, “nderon gazetarët, redaktorët, drejtuesit e medieve, ekspertët e medias, shkrimtarët dhe trajnuesit e gazetarisë në Evropën Juglindore, të cilët kanë kontribuar në nxitjen e mirëkuptimit në rajon dhe të cilët kanë punuar për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me minoritetet, ndarjet etnike, racizmin, ksenofobinë, diskriminimin gjinor, frikën etj”.
XS
SM
MD
LG