Lidhje

Breedlove: Radikalizmi – shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s


Komandanti i lartë i NATO-s Philip Breedlove tha në Prishtinë se radikalët që stërviten në zonat e konflikteve dhe kthehen në vendet e tyre, janë shqetësim për të gjithë

Komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha të mërkurën se radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri.

Ai i bëri këto komente në përfundim të një vizite në Kosovë ku është takuar me përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtarë që kujdesen për sigurinë në vend.

Ai tha se përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjet radikale në Siri dhe vende të tjera është shqetësuese dhe se ky është një shqetësim jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e NATO-s, që radikalët që dalin nga zonat e konfliktit, radikalët që vijnë nga të gjitha vendet e NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilët stërviten dhe kthehen në vendet e tyre, janë problem për të gjithë. Vendet e NATO-s po bashkëpunojnë në shumë fusha për të luftuar këtë çështje.

Mendojmë se ky problem do të përkeqësohet para se të bëhet mirë”, tha ai, duke ritheksuar përkushtimin KFOR-it, Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtar ndaj përparimit në Kosovë, që sipas tij është mjaft i madh. Ai tha se liria e lëvizjes në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, është çështje që u takon Prishtinës dhe Beogradit të punojnë së bashku dhe KFOR-i do të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Siç e dimë në bazë të zhvillimeve të fundit në Ukrainë, qëndrueshmëria mund të jetë e brishtë”, tha gjenerali Breedlove, duke nënvizuar se këto janë kohë shumë të rëndësishme në Evropë, më sa duket më kritiket që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Duke folur në një konferencë për gazetarë në aeroportin e Prishtinës ai tha se Rusia po grumbullon trupa në kufirin me Ukrainën.

Numri i trupave përgjatë kufirit po rritet dhe tashmë është mbi 12 mijë. Batalionet, trupat e posaçme, ato të mbrojtjes ajrore të artilerisë, të gjithë po shtohen” tha ai, duke nënvizuar se atje po vendosen të gjitha llojet e armatimeve. NATO-ja po përcjell lëvizjen e materialeve nga rajoni qendror ushtarak i Rusisë në zonën e Rostovit dhe prej andej drejt kufirit, tha komandanti i lartë i Aleancës së Atlantikut të veriut, e cila përkujdeset për sigurinë në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Aktualisht mbi 5 mijë trupa të NATO-s shërbejnë në Kosovë, ku 15 vjet më parë qenë vendosur mbi 50 mijë trupa duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet forcave serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG