Lidhje

Kosovë: Akuzë kundër një shtetasi iranian


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të hënën një aktakuzë kundër një shtetasi Iranian, nën dyshimet për veprat penale të dënueshme me ligjet për “parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit”.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2014 dhe 2015, në xhirollogarinë e Organizatës Joqeveritare “Kur’ani”, drejtor i së cilës është i akuzuari që është identifikuar me nistoret H.A.B., “janë deponuar donacione në shuma të ndryshme të parave, për të cilat nuk ka kërkuar lejim të pranimit të tyre nga Njësia për Inteligjencë Financiare, siç kërkohet sipas ligjit. Po ashtu, në vitin 2014 i njëjti ka raportuar rrejshëm në Njësinë për Inteligjencë Financiare se do të pranojë një donacion nga Kuvajti, e në fakt paratë ishin të deponuara në Kinë”.

Më tej në aktakuzë thuhet se i akuzuari, që nga mediet lokale është identifikuar si Hasan Azari Bejandi, nuk i ka ruajtur të gjitha llogaritë, të cilat dëshmojnë të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ-së “Kur’ani”, ashtu që “nga viti 2005 deri më 06 gusht 2015 ka pranuar donacione në shumën prej 579 mijë e 521 eurosh, përderisa tërheqjet janë në shumën prej 871 mijë e 491 eurosh, që do të thotë se kjo OJQ ka realizuar tërheqje bankare më të mëdha se të hyrat, në shumë prej 291 mijë e 970 eurosh, shumë e cila nuk është raportuar”.

Prokuroria e Posacme ka kërkuar nga Gjykata që “të akuzuarin të shpallë fajtor për kryerjen e veprave penale, si dhe të shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, konfiskimi i shumës prej 30 mije eurosh si dhe dëbimi i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës”.

Si rezultat i hetimit të këtij rasti, Ministria e Administratës Publike ka pezulluar në fund të muajit të kaluar veprimtarinë e pesë Organizatave Joqeveritare: “Kurani”, “Ibni Sina”, “Bregu i Diellit”, “Nisa” dhe “Ehli Bejti”.

Të gjitha këto organizata me seli në Prishtinë e Prizren, ishin bastisur në qershor të vitit të kaluar dhe hetuar nën dyshimet për veprën penale “pastrim i parave” dhe financim të mundshëm të grupeve ekstremiste.

XS
SM
MD
LG