Lidhje

Kosovë: Opozita protestë me tenda në kërkim të zgjedhjeve


Partitë opozitare në Kosovë, vendosën të martën tenda në qendër të Prishtinës, përballë qeverisë, për të hapur një periudhë të re protestash.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, tha se "nga sot do ta fillojmë protestën e vazhdueshme kundër këtij regjimi antikushtetues, kjo protestë do të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie, kjo që do ta ndërtojmë në shesh do të jetë si infrastrukturë e protestës”.

Opozita vendosi tendat përballë qeverisë së Kosovës
Opozita vendosi tendat përballë qeverisë së Kosovës

Udhëheqësit e partive opozitare thanë se kanë marrë leje për vendosjen e tendave nga komuna e Prishtinës, kryetar i së cilës është Shpend Ahmeti nga lëvizja Vetëvendosje.

"Nga sot fillon një etapë e re e kundërshtimit të vazhdueshëm dhe të përhershëm këtu në shesh. Ky aktivitet është bërë me të gjitha përgatitjet e duhura. Me tenda, leje nga komuna dhe gjithçka është në përputhje me të drejtat tona, si qytetarë, taksapagues dhe parti politike. Nga sot jemi këtu”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, u bëri thirrje qytetarëve për një protestë paqësore.

"Kjo është rruga që po e ndjek opozita e bashkuar me shoqërinë civile dhe qytetarë. Ju jeni dëshmitarë që ky regjim jo që nuk po reflekton, por po vazhdon me shtypje, dhunim, me burgosje dhe me tërheqje zvarrë të deputetëve të opozitës nga parlamenti dhe përjashtimin e tyre", tha zoti Limaj.

Kosovë: Opozita synon protesta të vazhdueshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:50 0:00

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria e Kosovës u bëri sërish ftesë partive opozitare që çdo shqetësim të tyre ta diskutojnë në parlamentin e Kosovës.

Por, partitë opozitare thonë se qeveria duhet të largohet në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata tha se marrëveshja në pjesën më të madhe të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Opozita i dha këtë javë qeverisë afat që deri më 27 shkurt që të largohet për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Po ashtu, partitë opozitare kanë paralajmëruar forma të ndryshme të kundërshtimit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, që sipas Kushtetutës duhet të përmbyllet deri më 7 mars.

Opozita është shprehur kundër mundësisë që kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi të jetë president i ri që do të pasojë presidenten aktuale Atifete Jahjaga, mandati i së cilës skadon më 7 prill.

XS
SM
MD
LG