Lidhje

Opozita afat qeverisë deri më 27 shkurt për dorëheqje

  • Leonat Shehu

Dhjetëra mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ato i dhanë afat deri më 27 shkurt qeverisë që të largohet.

Partitë opozitare thonë se qeveria duhet të largohet në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kush e ka ndal këtë qeveri? E keni ndal ju, mos të ishit ju dëmet do të ishin më të mëdha, të përhershme dhe të pariparueshme. Andaj, ju sot me vendimin e juaj për shkarkim i obligoni të gjithë vendim marrësit. Ju sot I keni obliguar me zbatu këtë vendim menjëherë”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Sot, populli i Kosovës ju ka hequr legjitimitetin. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka kërkesë më demokratike, më institucionale se sa kërkesa për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe për ti hapur rast dhe mundësi qytetarëve të Kosovës me votën e tyre, ata të vendosin nga është e drejta dhe kush duhet ti qeverisë”, tha kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

“Nuk mund të ketë normalitet institucional, nuk mund të ketë zgjedhje presidentësh e votim të vendimeve dhe ligjeve në Kosovë kur populli bashkë tashmë insiston që kjo qeveri nuk bënë të qëndroj aty as edhe një minutë të vetëm”, tha kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar këtë marrëveshje sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria ka bërë thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në muajin dhjetor tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kosova po shënon sot përvjetorin e tetë të pavarësisë së saj, duke u përballur me krizën më të rëndë politike. E mërkura ishte ndarë në dysh.

Paradite, në kryeqytet u mbajtën manifestime të organizuara nga qeveria, gjatë të cilave Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e Policisë së Kosovës parakaluan në qendër të Prishtinës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane. Bisedimet i sigurua Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese. Ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në tetor të vitit të kaluar e cila u miratua nga Parlamenti Evropian në fillim të këtij viti.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG