Lidhje

Ndërhyrje me dhunë në një stacion policie në veri të Kosovës


Policia është vënë në kërkim të një të arratisuri që u liria me forcë nga grupe pjesëtarësh të komunitetit serb në komunën e Zubin Potokut.

Në Kosovë autoritetet e rendit thanë se janë hedhur në një operacion në veri, për kapjen e një të arratisuri, i cili u lirua gjatë një ndërhyrjeje të dhunshme në një stacion policie të një grup prej mbi 100 pjesëtarësh të komunitetit serb.

Ata ndërhynë të mërkurën në mbrëmje në stacionin e policisë në Zubin Potok, pasi që policia kishte arrestuar Slobodan Sovërliçin për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe i cili kërkohej edhe për vepra të tjera penale.
Dhuna në stacionin e policisë në Zubin Potok
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Të paktën dy pjesëtarë të policisë janë lënduar gjatë këtij incidenti, i cili la pas vetes edhe dëme materiale në stacionin e policisë. Prokurorët thanë se kanë hapur dy raste për vepra penale, një për arratisjen dhe një për mundësim të arratisjes.

Autoritetet thanë se është pezulluar përkohësisht zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok.

Incidenti u dënua nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit i cili nëpërmjet një komunikate njofton edhe për një shpërthim në afërsi të stacionit të policisë. EULEX-i kërkon hetim të hollësishëm të ngjarjeve që penguan vendosjen e drejtësisë në Zubin Potok. Sundimi i turmave nuk mund të tolerohet në asnjë shoqëri. Kjo turmë duhet të izolohet, meqë paraqet kërcënim për të gjithë qytetarët që e respektojnë ligjin, thuhet në reagim, në të cilin kërkohet dhe mbështetja e qytetarëve për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të shkaktarëve të dhunës në veri.

Ndaj incidentit reaguan edhe autoritetet lokale serbe si dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, i cili tha se një formë e tillë e zgjidhjes së problemeve është e palejueshme.

Ashtu sikundër që këtë nuk mund të lejojmë në një stacion policie në Serbinë qendrore, natyrisht që është e pamundur të tolerohet edhe në stacionin e policisë në Zubin Potok”, tha ai, duke e vlerësuar të pakuptueshme që serbët të ndërhyjnë në një stacion policie ku veprojnë polic të komunitetit serb. Ai tha se policia në veri pasqyron përbërjen etnike të popullsisë, një vendim ky që ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje mundësoi për herë të parë përfshirjen e komunave veriore në zgjedhjet për pushtetin komunal në Kosovë, pas zbatimit të rezultateve të të cilave pritet themelimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe me një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG