Lidhje

Hashim Thaçi inaugurohet si president


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të premten se do të jetë një gardian i Kushtetutës së Kosovës dhe se do të punojë për forcimin e identitetit shtetëror, ndërsa e quajti veten president të thjeshtë të popullit të heronjve të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në ceremoninë inauguruese të tij ku morën pjesë presidentë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, gjatë së cilës pranoi nga presidentja e deritashme Atifete Jahjaga kushtetutën e Kosovës.

Inaugurimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:24 0:00

Presidenti Thaçi tha në fjalimin e tij se gjatë mandatit pesë vjeçar do të përqendrohet në katër çështje kryesore. Ai tha se si roje e kushtetutës do të jetë I paanshëm politikisht.

Do të ofrojë agjendë dialogu aktiv në mes të përfaqësuesve të popullit pa dallime partiake. Do të përdorë instrumente këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet jo shumicë”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se ndryshime të mëdha po e përshkojnë kontinentin e Evropës dhe se Kosova sipas tij do të luajë rol aktiv. Ai tha se vala e refugjatëve, radikalizmi, terrorizmi dhe erërat e ftohta që vijnë nga lindja janë sfida që po e sfidojnë çdo shtet dhe aleancë.

Por, le të jetë e qartë se me ata që po e kërcënojnë lirinë në botë, me ata që sulmojnë dhe rrezikojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës sonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona nuk do të ketë asnjëherë kompromis. Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve botërore në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Qytetarët e Kosovës masovikisht, pa dallim etnie, besimi kanë orientim euro atlantik. Unë jam i obliguar dhe është vizioni im, jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruaj si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se Kosova respekton të gjitha besimet ndërsa është një vend sekular dhe bënë dallimin në mes të shtetit dhe besimit, të cilën sipas tij do ta vazhdojë ta mbrojë.

Ai tha se një çështje me rëndësi për shtetin e Kosovës janë edhe bisedimet në mes komuniteteve në Kosovë dhe bisedimet me Serbinë.

Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull. Ajo solli relaksim raportesh politike në të gjithë rajonin tonë. Sot Ballkani dhe i gjithë rajoni është ndryshe, secili komunikon me secilin. Së bashku me planin e Presidentit Ahtisaari dhe marrëveshjen e Rambujesë, ajo është edhe një pikë referuese e historisë sonë moderne e arkitekturës së paqes në Ballkan”, tha ai.

Ai tha se për qytetarët e Kosovës politika është bërë një fushëbetejë monotone në mes të udhëheqësve dhe për ta ende nuk sjellë shpresë për vende të reja të punës dhe mirëqenie sociale.

Do të punojmë që tranzicioni ekonomik të shkoj me hapa po aq të shpejtë si ai politik që e kemi përjetuar. Ne një popull që u ringritëm si feniksi, që rindërtuam shtëpitë tona, që zumë hapin me botën dhe kohën duhet të jemi në gjendje të krijojmë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Para fillimit të ceremonisë, aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës. Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës dhe se ai u zgjodh si rezultat i shantazhit dhe blerjes së deputetëve të LDK-së dhe si rezultat i kompromiseve ndaj Listës Serbe të Serbisë. "Prandaj nuk do ta pranojmë e njohim asnjëherë si president të Republikës sonë. Do ta kundërshtojmë vazhdimisht dhe pa kompromis. Siç e kundërshtuam sot”, thuhet në njoftim.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kundërshtoi ceremoninë e inaugurimit. Në një komunikatë të saj thuhet se “kjo është përpjekje e tij, për ta kompensuar një element të rëndësishëm që i mungon atij. Hashim Thaçi, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë sinonim i kapjes së shtetit; Ai i ka qenë po ashtu shkaktar i shkallës së lartë të krimit dhe të korrupsionit, dhe së fundi i ka luajtur edhe gurët e kufirit dhe prandaj zgjedhja e tij, mund të jetë vetëm riciklim i një gjendjeje katastrofike për vendin”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi më 26 shkurt me 71 vota për dhe dhjetë vota të pavlefshme, Hashim Thaçin, ish kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, në postin e presidentit të Kosovës.

Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 50, përkatësisht 64 vota.

XS
SM
MD
LG