Lidhje

Jahjaga: Të qartësohet roli i presidentes për formimin e qeverisë


Presidentja e Kosovës i kërkoi të mërkurën Gjykatës Kushtetuese qartësim të rolit t saj kundruall formimit të qeverisë së re.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ju drejtua të enjten Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të sqaruar rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë së re në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit.

Në një komunikatë për median thuhet se ajo kërkoi “qartësimin e çështjeve kushtetuese që ndërlidhen me përgjegjësitë e saj, përkatësisht qartësimit të veprimit kushtetues të Presidentes që do t’i mundësojë asaj të ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtim me vendimin e Gjykatës lidhur me rolin e saj në zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

Në komunikatë thuhet se “presidentja konsideron se me këtë veprim do të sigurohet një proces i drejt dhe i besueshëm, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit”.

Kërkesa, thuhet në komunikatë “nuk ndërhyn në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejt përfundimit të procesit zgjedhor, përmes certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit”.

Kërkesa pasoi debatet rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare.

Partia Demokratike që sipas rezultateve paraprake doli e para, ngul këmbë se ajo duhet të formojë qeverinë në bazë të kushtetutës.

Ndërsa tri partitë opozitare Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar një marrëveshje për koalicion qeverisës, me kryetarin e AAK-së, Ramsh Haradinajt, në postin e kryeministrit.

Mandatarin për formimin e qeverisë duhet ta emërojë presidentja Jahjaga, e cila vendosi që çështjen ta dërgojë në Gjykatën kushtetuese.

Kërkesa për qartësim lidhet me nenin 84, pika 14 e Kushtetutës së Kosovës, në të cilin thuhet se presidenti “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”.

Kërkesa ka të bëjë më qartësimin dhe përputhshmërinë e këtij neni me atë 95 të Kushtetutës së Kosovës:

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.
6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.
XS
SM
MD
LG