Lidhje

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën


Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë diskutuan më tone të rrepta në debatin e zakonshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen sërish akuza të ashpra në debatin e zakonshëm për Kosovën që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke nxjerrë kështu në pah sërish se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të vështira.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të anulojë ligjin e miratuar nga parlamenti i Kosovës për kombinatin metalurgjik Trepça me të cilin qeveria e Kosovës bëhet pronare e 80 për qind të aksioneve te saj. Ai tha se ligji është miratuar pa Misionin e Kombeve të Bashkuara, pa komunat me shumicë serbe dhe pa përfshirjen e serbëve që janë në institucionet e Kosovës.

"Me këtë ofrohet një pasiguri ligjore, e cila mund të shkaktojë trazira në Kosovë dhe ndalë përparimin ekonomik në Kosovë. Institucionet e Kosovës kanë shkelur mandatin e tyre dhe kanë konfiskuar pronën e Trepçës, kundër të gjitha ligjeve ndërkombëtare që ndalojnë një gjë të tillë”, tha ai.

Ai bëri thirrje edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke e akuzuar Prishtinën për zvarritje të qëllimshme të procesit.

Ministri serb akuzoi autoritetet vendase por edhe ato ndërkombëtare për kthim të paktë të serbëve të zhvendosur nga Kosova, dhe për mos dënimin e siç tha, krimeve të kryera ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Ai përmendi edhe protestat e mbajtura në oborrin e kishës ortodokse serbe që ndodhet në oborrin e Universitetit të Prishtinës dhe e cila ishte ndërtuar gjatë sundimit serb në Kosovë.

Ministri serb përsëriti qëndrimin e Beogradit se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Por ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Citaku tha se "ora historike nuk mund të kthehet mbrapa Por, megjithatë, kemi ardhur këtu, çdo tre muaj, për të dëgjuar nga kolegët e mi nga Serbia, rreth një universi paralel, në të cilën shtetësia e Kosovës është inekzistente, në të cilën, ishin shqiptarët e Kosovës që kryen spastrim etnik, në të cilat shtypësi bëhet i shtypur".

Ajo tha se Kosova mbetet e angazhuar për të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, por, "nuk po shohim të njëjtin nivel të angazhimit nga fqinji ynë verior. Kosova ka marrë masa të papara për të adresuar krimet e pretenduara, duke themeluar Gjykatën e Posaçme".

Ajo tha se Kosova dëshiron drejtësi për të gjithë, dhe nuk ka frikë nga drejtësia.

"Ndërsa ne jemi duke shkuar me hapa të mëdhenj për të trajtuar të gjitha akuzat, Serbia ka qenë gjithçka, por jo e gatshme për të ndjekur penalisht krimet e luftës. E kam thënë edhe më parë në këtë dhomë, dhe unë do ta them përsëri. 20.000 gra u përdhunuan në Kosovë gjatë luftës. Numri i personave të akuzuar është zero. 1262 fëmijë janë vrarë brutalisht. Numri i të akuzuarve përsëri është zero. Mijëra të zhdukur, dhe ka gjurmë shumë të qarta të zinxhirit institucional të përgjegjësisë dhe komandës për të fshehur gjurmët, siç është dokumentuar se Qeveria e Serbisë kishte shkuar aq larg sa ka bërë ngritjen e ndërtesave në vendet e varrezave masive. Numri i të akuzuarve zero".

Duke ju përgjigjur reagimeve serbe nga ligit për Trepçën, ajo tha se autoritetet serbe nuk kanë bazë ligjore në pretendimet e tyre dhe se "fjalët dhe veprimet e tyre vetëm shfaqin tendenca koloniale ndaj Kosovës". Ajo tha se "ka përfunduar koha kur për Trepçën vendosej në Beograd".

Ambasadorja Çitaku i cilësoi të paqëndrueshme pohimet serbe për zhvendosje e 200 mijë serbëve nga Kosova, meqë sipas saj, "194 mijë serbë kanë jetuar në Kosovë" në kohën kur regjistrimi i popullsisë është bërë nga autoritetet jugosllave. Ajo tha se Serbia ka penguar regjistrimin e popullsisë serbe në Kosovë.

Të dy vendet shprehën angazhimin për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura deri tash, por me rezerva e pakënaqësi për angazhimin e palës tjetër.

XS
SM
MD
LG