Lidhje

Nënpresidenti Biden takon Thaçin e Nikoliçin


Joseph Biden dhe Hashim Thaci

Joseph Biden dhe Hashim Thaci

Nënpresidenti amerikan Joe Biden diskutoi ndarazi në Romë me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.

Nënpresidenti amerikan Joseph Biden, takoi të hënën në mbrëmje në Romë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç.

Takimet e ndara janë zhvilluar në kuadër të qëndrimit të tyre në Romë për të marrë pjesë në përurimin e Papës së ri, ndërsa temë kryesore ishin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit se nënpresidenti Biden u ka dhënë një mbështetje të fuqishme bisedimeve . Në një deklaratë për Radiotelevizionin e Kosovës, kryeministri Thaçi tha se “SHBA-të e mbështesin këtë proces, presin që të arrihet marrëveshja që do të normalizonte marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, që do të nënkuptonte më shumë stabilitet, paqe dhe perspektive të integrimit për të dyja vendet. Biden tha se SHBA-të do të jenë nga afër në këtë proces. Ai rikonfirmoi se ashtu siç kanë qenë më herët me ne, SHBA-të do të jenë me ne edhe këto ditë dhe përgjithmonë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti serb Tomislav Nikoliç, u tha medieve serbe se nënpresidenti Biden nuk kishte njohuri “për hollësitë e asaj se çfarë kërkon Kuvendi i Serbisë dhe çfarë Rezolute ka miratuar ai” për bisedimet me Kosovën.

Joseph Biden dhe Tomislav Nikolic

Joseph Biden dhe Tomislav Nikolic


"Nënpresidenti amerikan e tha qartazi se do të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve meqë Amerikan e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti serb duke nënvizuar se “administrata amerikane dhe ajo serbe do të kenë kontakte më shpeshta në të ardhmen në nivelin e lartë, meqë të gjithë duam që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht dhe të sigurojmë jetë më të mirë për qytetarët e Serbisë, duke llogaritur edhe Kosovën, për qytetarët e Kosovës, duke llogaritur bashkësinë serbe që do të ketë ndihmën e palës serbe dhe të Bashkimit Evropian”.

Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë bisedimet të mërkurën në përpjekje për të arritur një pajtim për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.

Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv, si kush për marrëveshje.

Kryeministri Thaçi, tha ndërkaq se marrëveshja për veriun mund të arrihet në takimin e ardhshëm të tij me kryeministrin serb Ivica Daçiç, nëse Serbia ka hequr dorë nga synimi për krijimin e çfarëdo Republike Serbe në Kosovë.

Në qasjen tonë ne do të përcaktohemi që të respektohet në plotni Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës, standardet evropiane dhe në momentin që Serbia respekton këto përkushtime, ne do të ulemi dhe do të finalizojmë projekt marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Çdo qasje tjetër është e papranueshme për popullin e Kosovës, institucionet e Kosovës por edhe për BE-në dhe SHBA-të”, tha kryeministri Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG