Lidhje

Ndërroi jetë Akademik Esat Stavileci


Të shtunën në moshën 73 vjecare ndërroi jetë Esat Stavileci, një nga emrat më të shquar të shkencave juridike në Kosovë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njoftoi se anëtari i saj Esat Stavileci ndërroi jetë.

Në njoftim thuhet se kjo është “një humbje e madhe për familjen, shkencën dhe akademinë, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare”.

Esat Stavileci u lind më11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës.

“Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike”, thuhet në një komunikatë të ASHAK.

Autoritetet më të larta të Kosovës ngushëlluan familjen Stavileci.

XS
SM
MD
LG