Lidhje

Kosovë: Dy të akuzuar për përfshirje në veprimtari terroriste


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha se ka ngritur të enjten në Prishtinë, një aktakuzë kundër një personi për veprën penale: "organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist".

Sipas aktakuzës, i pandehuri që identifikohet si L. F. "i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “ISIS”, duke marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Siri, ku ka qëndruar afër dy muaj. Pas dy muajsh qëndrimi në Siri, duke u kthyer për në Kosovë është ndaluar nga Policia e Turqisë dhe është kthyer në Republikën e Kosovës".

Së këndejmi thuhet në njoftim, "me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist".

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme tha se ka ngritur në Ferizaj ndaj një personi për veprën penale: "bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës", vepër e dënueshme me Ligjin për Ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, që u miratua në pranverën e vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S. I., "nga tetori i vitit 2013 deri në muajin nëntor 2015, në vazhdimësi në rrjetin social “Facebook”, përmes profilit të tij personal, ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, nxitje të urrejtjes ndaj koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër organizatës terroriste “ISIS” dhe publikisht ka përkrahur ideologjinë ekstreme dhe veprimet e kësaj organizate terroriste. Këtë e ka bërë me qëllim që persona ose grupe të ndryshme t’u bashkohen formacioneve të armatosura të “ISIS”-it, si dhe ka krijuar kontakte me personat që janë drejtpërdrejt pjesëmarrës në luftën e Sirisë dhe në Irak, duke ftuar publikisht “ISIS”-in që “ta çlirojë edhe Kosovën”.

I njëjti akuzohet edhe për veprën penale: "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve".

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

XS
SM
MD
LG