Lidhje

Intervistë më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi


Zëri i Amerikës: Zoti President, menjëherë pas largimit të nënpresidentit amerikan Joe Biden nga Kosova, ju u vutë në përpjekje për të bindur deputetët që të ratifikojnë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Përse ky zell kaq i fortë pikërisht tani?

Presidenti Thaçi: Realisht ka qenë një vazhdimësi e përkushtimit tonë për përmbylljen sa më të shpejtë të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Votimi në kuvendin e Republikës së Kosovës i shënjimit të kufirit me Malin e Zi, është një votim strategjik, me interes për shtetin e Kosovës, me interes për të dy vendet, për paqen dhe stabilitetin, për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Në të njëjtën kohë, unë dua të besoj fuqishëm se tani çështjet janë super të qarta. Kosova nuk e humbë asnjë metër katrorë, nuk e humbë asnjë pëllëmbë të territorit të vet. Nuk ka ndryshuar as territori i komunës së Pejës, e nuk ka ndryshuar as territori i Republikës së Kosovës. Ratifikimi që do të ndodhë në parlamentin e Kosovës, është në përputhshmëri me Kushtetutën e vitit 1974, është në përputhshmëri me marrëveshjen e Kumanovës, është plotësisht në përputhshmëri me deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe është plotësisht në përputhshmëri me të ardhmen e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, atë euroatlantike. Me këtë territor, që është aktualisht, Kosova është njohur nga 112 shtete të botës. Prandaj, këtu nuk ka asnjë dilemë. Vendimi është i drejtë, puna e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë është e saktë dhe deputetët e Kosovës, jam i bindur që me shumicë do të votojnë dhe tanimë e kanë konfirmuar, në veçanti partnerët e koalicionit. Do të ishte me interes edhe opozita të votojë sepse është vendim strategjik për të ardhmen euro-atlantike të vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Është diskutuar shumë për 8 mijë hektarë tokë që mund t'i humbë Kosova. A po hiqet dorë prej tyre?

Presidenti Thaçi: E ritheksoj. Territori i Pejës nuk ka ndryshuar. Territori i Kosovës nuk ka ndryshuar. Është thashetheme dhe askush në këtë botë asnjeri i politikës e as qytetar, nuk mund të konfirmojë me dokument që as edhe një metër katrorë apo një pëllëmbë e territorit të Kosovës po humbë. Thjeshtë, është gënjeshtër e kulluar, një kauzë e paqenë, e rrejshme, e paqëndrueshme për poena të politikës ditore.

Zëri i Amerikës: Kjo çështje është e hapur tash e gati një vit. Për disa ditë mbushet viti që kur ju keni hedhur firmën në këtë marrëveshje. Përse nuk pati një zell më të madh për të krijuar një konsensus politik deri tash?

Presidenti Thaçi: Është punuar për të ndërtuar një konsensus politik, mirëpo shihet se ka një keqpërdorim të vullnetit tonë të mirë prej minorancës politike. Natyrisht se Kosova u takon të gjithëve. Kam diskutuar me shumicën e liderëve politikë të Kosovës. Disa edhe prej opozitës me kanë deklaruar se e dimë se nuk qëndron ajo që po themi, por jemi futur dhe duhet ta shpëtojmë fytyrën. Prandaj, deputetët e kuvendit të Kosovës edhe atyre zërave që kanë krijuar probleme të panevojshme dhe mund të them edhe të turpshme në kuvendin e Kosovës, deputetët duke votuar në kuvend do ta shpëtojnë Kosovën, do t'i hapin perspektivë Kosovës, integrimin e vendit, në vend për të qenë i izoluar apo i vetmuar. Dhe këtu Kosova është në udhëkryq të perspektivës eruo-atlantike, apo të hapjes së paqartësive afatgjata. E unë si president i vendit dhe kam besim të plotë shumica e deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës janë për integrim euro-atlantik, për liberalizimin e vizave, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, që të afrohemi sa më shpejtë drejt integrimit evropian dhe NATO-s.

Zëri i Amerikës: Ju po tërhiqni vërejtjen për pasojat nga mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje. Por, çfarë pasojash mund të kishte një tensionim i mundshëm situatës nëse marrëveshja aktuale kalon duke pasur parasysh kundërshtimin ndaj saj?

Presidenti Thaçi: Kosova do ta ratifikojë marrëveshjen, Tanimë nuk ka asnjë dilemë. Është edhe vullneti i shumicës së deputetëve aktualisht, ne veçanti pas qartësimeve që kanë ndodhur prej Komisionit Shtetëror, prej qeverisë, prej presidencës, prej kryetarit të kuvendit, prej njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë proces. Dhe natyrisht se ne jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund t'i paguajë Kosova dhe para së gjithash populli i Kosovës ne veçanti për procesin e liberalizimit të vizave, sepse këta që po e pengojnë liberalizimin e vizave, i kanë vet pasaportat me vizë dhe shëtisin gjithë Evropës ngado. Prandaj, rreziku më i madh do të ishte sikur mos të ndodhte. Ndërsa tash po ndodhë dhe do të hapet një perspektivë më e shpejtë, më dinamike, më e sigurt, më e qëndrueshme, me një mbështetje të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, të SHBA-së, dhe BE-së. Nëse votohet, gjë që unë besoj se është punë tashmë e kryer, natyrisht se do të ketë individë të pakënaqur sepse nuk do ta kenë kauzën e krijimit të turbullirave në Kosovë, të problemeve dhe situatave të turpshme në kuvend dhe në rrugët e Kosovës. Kosova nuk do të mbetet peng i ambicieve të një minorance destabilizueze, destruktive dhe anti euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: A po ushtroni kësisoj njëfarë trysnie mbi deputetët zoti president. Ka kritikë që thonë se kjo po ndodhë me qëndrimet tuaja në favor të ratifikimit...?

Presidenti Thaçi: Unë jam duke punuar në mënyrën më dinamike të mundshme. Jam duke biseduar me çdo deputet. Është obligim dhe detyrë e imja që të kryej agjendën shtetërore. Të mos mbes peng i agjendave të politikës ditore apo politikave lokale. Prandaj, deputetët e kanë vullnetin e tyre, janë pjesë e mazhorancës, kanë obligimet kushtetuese dhe ligjore dhe jam jashtëzakonisht i inkurajuar me qëndrimin e tyre dhe vullnetin e tyre që kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk duhet keqpërdorur vullneti i deputetëve që i kanë dhënë hapësirë të gjithëve më u dëgjue kjo çështje me u diskutue dhe e kam respektuar edhe unë plotësisht këtë qasje, por tani është momenti vendimtar. Është momenti i vendimit, është momenti i votimit, është momenti i liberalizimit të vizave, është momenti i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, është momenti i së vërtetës evropiane për vendin ton, apo të ngërçit, izolimit dhe vetmisë. Kosova nuk e meriton izolimin. Populli i Kosovës nuk e meriton vetminë. E meriton një rrugë të përbashkët me partnerët dhe aleatë ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Prej nga siguria zoti president që do të liberalizohen vizat dhe do të themelohen Forcat e Armatosura menjëherë pas ratifikimit?

Presidenti Thaçi: Në i kemi kryer të gjitha obligimet tona sa i përket liberalizimit të vizave. E dimë që ka qenë e diskutueshme futja e kriterit për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura, ne e kemi tashmë pajtueshmërinë e plotë të aleatëve tanë që kjo çështje të përmbyllet dhe është në dorën tonë. Ne jemi me mosveprim duke e vonuar themelimin e ushtrisë së Kosovës. Të gjithë janë duke na përkrahur, ndërsa nuk ndodhë votimi në kuvend. Askush në botë nuk do të a përkrahë me themelue ushtrinë e Kosovës duke qenë në një problem me një vend të NATO-s, me Malin e Zi. Mali i Zi është partner strategjik i Republikës së Kosovës, prej vendeve të para që e kanë njohur Republikën e Kosovës edhe pse rreth 40 për qind të banorëve i ka serbë. Ne si parakusht për të lëvizur përpara e kemi fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin dhe pastaj të ndodhë ngadhënjimi i vlerave euro-atlantike. Ne nuk jemi duke rishkruar kufij historik. Nuk jemi duke i përmirësuar padrejtësitë historike. E njoh historinë. E njoh çfarë ka ndodhur në rajonin tonë. Edhe historinë e kombit tonë. Por, me vendimin në kuvendin e Republikës së Kosovës duke votuar, merr vendimin për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Një e ardhme kjo që do ta ketë mbështetjen e fuqishme të BE-së dhe SHBA-së. Ne për fat të keq, me ato gjëra të pahijshme në kuvendin e Kosovës dhe në rrugët e Kosovës, kemi prodhuar argumente dëmtuese për shtetin tonë. Tani është momenti të prodhojmë argumente të fuqishme dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë me na përkrahë në të ardhmen e të mos hapim dilema krejt të panevojshme, të paqëndrueshme dhe të një çmimi shumë të ultë politik elektoral.

Zëri i Amerikës: Por, Forcat e Armatosura a nuk ishin më shumë peng i mospajtueshmërisë me përfaqësuesit e komunitetit serb brenda kuvendit të Kosovës?

Presidenti Thaçi: Natyrisht se ne pretendojmë dhe do të punojmë dhe kështu do të ndodhë. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e re, do të jetë një forcë multietnike, e një përfaqësimi meritor gjinor, e standardeve, kritereve dhe organizimit të NATO-s, prandaj është në interesin e të gjithëve që edhe komuniteti serb të jetë i integruar dhe në këtë drejtim po punojmë dhe jam optimist se gjërat do të kryhen me kohë. Por, e ritheksoj, pa kalimin e demarkacionit Kosova do të mbetet pa liberalizim të vizave dhe pa ushtri. Pra, pa perspektive evropiane dhe pa perspektivë për integrim në NATO.

Zëri i Amerikës: Zoti President në thirrjet tuaja të ditëve të fundit keni vënë theksin edhe tek themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, një marrëveshje e arritur në bisedimet më Serbinë. Sa e ka ndryshuar opinioni i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe këtë marrëveshje?

Presidenti Thaçi: Themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne nuk kemi asnjë arsye që të frikësohemi nga diçka çka e lejon kushtetuta dhe ligjet tona. Komuniteti serb duke u integruar, largohet nga ndikimi i Serbisë. Diçka që e lejon kushtetuta për shqiptarët, lejon edhe për serbët, lejon edhe për komunitetet tjera. Kosova është e re, është atdhe i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, ajo marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, ne veçanti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e këshillon dhe e obligon qeverinë e Kosovës për të themeluar asociacionin është në interes të integrimit të komuniteteve. Ju e shihni, vetëm para dy-tre vitesh ata njerëz që kanë qenë nëpër barrikada sot janë në parlament dhe qeveri të Kosovës, në institucione qendrore dhe lokale. Do të thotë po punojnë sipas ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nuk duhet të biem në asnjë rrethanë të biem viktimë e njerëzve që dojnë me e mbajte Kosovën në tension edhe politik, edhe ndërqytetor edhe ndëretnik. Ne duhet të lëvizim me hapat e interesit të agjendës shtetërore, mbi interesat e ulta politike, lokale, apo edhe individuale. Jam i vetëdijshëm nga përvoja ime politike se dikush nuk mund të mbijetojë në një vend stabil politikisht. Por, mund të mbijetojë vetëm me krizave. Krizat në Kosovë, do të përfundojnë. Kosova do ta implementojë agjendën e vet euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Në deklarimet tuaja keni theksuar se gjithnjë kur i keni dëgjuar aleatët amerikanë, gjërat kanë dalë për mirë. Sa mund të pritet se do të dëgjoni thirrjet e fuqishme të nënpresidentit Biden posaçërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Presidenti Thaçi: Çdo herë që kemi punuar me partnerët ndërkombëtarë, marrëveshja e Rambouilletit ka qenë shumë e vështirë. Kemi dëgjuar këshillat, kemi punuar bashkërisht si ekip kosovar, kemi marrë vendimin e drejtë, Kanë ndodhur bombardimet, është fituar liria e Kosovës. Kemi punuar bashkërisht me aleatët në marrëveshjen e presidentit (Martti) Ahtisaari. Kemi punuar në mënyrë të mençur, kemi marrë vendimin, e kemi pranuar atë dokument, jo shumë entuziast, por Kosova është e pavarur, është sovrane. Kemi punuar bashkërisht në procesin e njohjeve, i kemi 112 njohje. Kemi punuar bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare. Natyrisht tash mbetet vazhdimi i implementimit të reformave demokratike, edhe në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, trafiqeve, terrorizmit dhe të gjitha fenomeneve tjera negative. Kosova do t'i kryej obligimet e veta, por në të njëjtën kohë, punët që na takojnë neve, duhet t'i kryejmë ne. Duke qenë vend sovran, ne kemi edhe përgjegjësi ndërkombëtare, Dhe edhe ato përgjegjësi ndërkombëtare duhet t'i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë kushtetuese, ligjore dhe vlerave euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Edhe nënpresidenti Biden tha se korrupsioni është kancer për shoqërinë duke vënë theksin te sundimi i ligjit në Kosovë. E Kosova edhe në tabelat ndërkombëtare ka dalë si një prej vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit...?

Presidenti Thaçi: Kosova në raport me vendet tjera të rajoni në tabelat ndërkombëtare është më përpara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ka edhe vlerësim ndërkombëtarë. Është fat që kemi edhe mekanizmat ndërkombëtarë, EULEX-in dhe tërë mekanizmat tjerë të fuqishëm për rend dhe ligj në Kosovë. Tani autoriteti ndërkombëtarë po bartet me tepër tek vendorët. Janë ngritur shumë aktakuza të niveleve dhe profileve të larta, që nuk kanë ndodhur askund në rajon të një profili të tillë. Kështu që unë dua të theksoj se edhe vet rekomandimi për liberalizmin e vizave është vlerësim i Kosovës në luftë kundër korrupsionit krimit të organizuar dhe thellimit të reformave demokratike në sistemin e drejtësisë. Kemi filluar edhe ndryshimin e Kodit Penal dhe do të plotësohet ai vakuum ligjor, ato vrima që janë identifikuar, në mënyrë që Kosova ta kompletojë këtë reformë të nevojshme, të domosdoshme për një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Zëri i Amerikës: Jeni pjesë e zhvillimeve politike për një kohë të gjatë, ndërsa shpejt bëhen dhjetë vjet që kur jeni në krye të institucioneve. Sa ndjeheni përgjegjës për shkallën e lartë të krimit e korrupsionit në vend?

Presidenti Thaçi: Unë në kuadër të përgjegjësive që kam pasur tash e dy dekada, i kam pasur përgjegjësitë që m'i ka dhënë qytetari i Kosovës edhe për vendimmarrje politike edhe për angazhimet tjera. Unë dua të potencoj që ndihem mirë që në angazhimet tona që kemi pasur në periudhën që kamë udhëhequr dhe udhëheqë, ka filluar lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Kemi marrë vlerësimin më të lartë edhe para dy ditësh prej nënpresidentit Biden që Kosova është kampion në luftën kundër korrupsionit. Mendoj se të arriturat e Kosovës duhet të afirmohen dhe në asnjë rrethanë të paraqitet Kosova bardh e zi. Kosova është storie e suksesit dhe jam i bindur se do të kemi suksese të mëtutjeshme. Është bërë shumë më luftë kundër fenomeneve negative por jam i vetëdijshëm se duhet bërë edhe më tepër. Besoj në sistemin e drejtësisë kosovare. I Inkurajoj që të vazhdojnë. Dhe askush nuk është mbi ligjin. Të gjithë janë të barabartë.

Zëri i Amerikës: Por, kur ktheheni prapa në këto dhjetë vjet, ju mbetet peng se keni mundur të bëni diç më shumë për të luftuar këto dukuri?

Presidenti Thaçi: Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë për të bërë më tepër. Mirëpo, ne jemi njerëz dhe nuk jemi të përkryer. Unë mendoj se çdo shoqëri dhe çdo lidership botëror gjithmonë kur ta bën një rekapitullim të punës së vet, vlerëson se diçka ka mundur të bëhet më ndryshe, diçka ka mundur të bëhet më mirë. Por, unë vlerësoj se Kosova është në rrugë të drejtë, është në rrugën e progresit, ka arritur shumë, por duhet të lëvizë më shpejt.

Zëri i Amerikës: A ndjeni përgjegjësi individuale?

Presidenti Thaçi: Unë ndjej përgjegjësi në kuptimin e të arriturave për Kosovën në të njëjtën kohë jam pjesë edhe e lëshimeve edhe e gabimeve që kanë ndodhur dhe natyrisht se është diçka shumë njerëzore kjo.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit janë publikuar bisedat e përgjuara telefonike për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në veprime që vlerësohen si ushtrim ndikimi në kompani publike dhe institucione shtetërore. Në to dëgjohet edhe zëri juaj zoti President. A mjafton një dorëheqje për një gjë të tillë?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj se rreth kësaj çështjeje jam deklaruar edhe më herët por është me interes për shoqërinë, për institucionet, për drejtësinë, për të gjithë, që të ketë transparencë në gjithë këtë proces. Është mirë që edhe autoritetet e drejtësisë janë duke e shikuar edhe duke u marrë me të, prandaj çdo koment politik në këtë drejtim vetëm sa e dëmton këtë proces. Është përgjegjësi edhe morale edhe politike, por edhe në të njëjtën kohë juridike nëse ka elemente. Por, ajo që mund të them është se ne duhet të punojmë të gjithë në moslinçimin e kundërshtarëve, por të punojmë të gjithë për transparencë, për përgjegjësi të lartë institucionale dhe në të njëjtën kohë të punojmë bashkërisht në përmbylljen e këtyre sfidave që i kemi para nesh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG