Lidhje

Këshilli i Sigurimit debatoi për Kosovën


Kosovo, Atifete Jahjaga
Kosovo, Atifete Jahjaga

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikoliç, me pikëpamje të ndryshme rreth proceseve politike në Kosovë

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç thanë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se janë të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Por ata shprehën pikëpamje tërësisht të ndryshme për proceset politike në Kosovë.

Debati në Këshillin e Sigurimit u mbështet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, në të cilin u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet të dyja vendeve.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të bisedimeve që sipas saj shkojnë përtej forcimit të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës dhe anëtarësisë së saj në organizatat ndërkombëtare.

Duke shprehur shqetësimet e saj për rezistencën e grupeve siç i cilësoi ajo paraushtarake e kriminale ndaj shtrirjes së sundimit të ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, presidentja Jahjaga i bëri thirrje qeverisë së Serbisë që t’i përmbahet pjesës së saj të marrëveshjes dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive që të sigurojë që serbët e Kosovës të pranojnë dhe mbështesin marrëveshjet e arritura në Bruksel. Po ashtu ajo bëri thirrje që të mbështetet edhe përfshirja e pjesëtarëve të komunitetit serb në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Po e përsëris thirrjen drejtuar të gjitha komuniteteve etnike të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese nëpërmjet pjesëmarrjes së plotë në votime, të zgjedhin përfaqësuesit të cilët do t’u japin zë interesave dhe kërkesave të tyre dhe të punojnë drejt forcimit të demokracisë në Kosovë”, tha ajo.

Ndërsa presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se Beogradi pas vlerësimeve të hollësishme do të vendosë nëse do të thërras serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare duke shprehur siç tha shqetësimin se Prishtina me paralajmërimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, po vringëllon armët.

Por, presidentja Jahjaga tha se themelimi i këtyre forcave është në funksion të sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Presidenti serb, ripërsëriti qëndrimin se vendi i tij nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës të cilin e cilësoi si një precedent që sipas tij ka hapur vatra të mundshme dhe të reja të krizave në botë, duke përmendur rastin e Krimesë në Ukrainë.

Ndërsa presidentja Jahjaga u bëri thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të çojnë kësisoj përpara perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, shfrytëzoj mundësinë që të shpreh mirënjohjen ndaj mbi 100 shteteve të mbarë botës për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vizionit për një shtet demokratik dhe shumetnik”, tha ajo duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë atë.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka marrë masat që të parandalojë përfshirjen e qytetarëve të saj ne luftëra të huaja, duke ju përgjigjur pohimeve të përfaqësuesve të Rusisë dhe Serbisë për siç thuhet mbështetjen e shqiptarëve për grupet e AL-Kaidas në luftën e Sirisë. Presidentja Jahjaga tha se çështja e luftëtarëve të huaj që i janë bashkuar luftës në Siri është problem i gjithë botës, por Kosova ka marrë masat për parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të saj në atë luftë edhe nëpërmjet një projektligji që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.
XS
SM
MD
LG