Lidhje

Vetëvendosje, bojë mbi makinën e ministrit


Lëvizja Vetëvendosje tha se veprimtarët e saj kanë hedhur ngjyrë mbi makinën e ministrit të punëve të brendshme, Skënder Hyseni, në një "aksion simbolik" në shenjë protestë ndaj "ndalimit të hyrjes në Kosovë të dy veprimtarëve të kësaj lëvizjeje nga Shqipëria.

Vetëvendosje tha se autoritetet u kanë ndaluar hyrjen në Kosovë Dejona Mihalit dhe Bashkim Rodonit si dhe ka depërtuar më herët Boiken Abazin dhe Arbër Zaimin, veprimtarë të kësaj lëvizjeje.

"Urdhrat që ndalojnë lirinë e lëvizjes, hyrjen dhe qëndrimin në Kosovë të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, janë urdhra me prapavijë politike dhe të padrejtë", thuhet mes tjerash në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Qeveria e Kosovës e dënoi veprimin e lëvizjes Vetëvendosje që siç thuhet "ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni".

Në një reagim të qeverisë thuhet se "ky akt kriminal, i kryer nga aktivistë të Vetëvendosjes, është sulm kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lëvizja Vetëvendosje me këtë veprim dëshmoi edhe njëherë se është në gjendje të rrezikoj jetën e qytetarëve të vendit dhe të përfaqësuesve legjitim të institucioneve, me qëllim të realizimit të skenarëve të saj kundër shtetit të Kosovës".

Në komunikatën e qeverisë thuhet se kjo lëvizje po angazhohet që të dëmtojë përparimin e Kosovës në proceset euro integruese, përkatësisht po bën përpjekje që të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, "siç ka bërë edhe në të kaluarën kur me veprimet e saj ka pasur ndikim në mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ka dëmtuar ndjeshëm imazhin e shtetit".

XS
SM
MD
LG