Lidhje

Kosovë: Liberalizimi i vizave shtyhet për në vjeshtë


Liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të votohet në Parlamentin Evropian më 5 shtator, ndonëse ishte paraparë që kjo të bëhej më 12 korrik. Raportuesja e Parlamentit të Evropës për këtë çështje, Tanja Fajon, tha se Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të PE-së vendosi të shtyjë votimin "për shkak të përparimit të mangët në procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi".

Në një komunikatë për medie ajo tha të martën se 'beson që parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo do të mundësojë hedhjen e çështjes në votim në vjeshtën e këtij viti dhe të sigurojë mbështetjen e plotë të Komitetit përgjegjës për propozimin për heqjen e vizave".

Deklarata e raportueses Fajon, u bë gjatë punimeve të sesionit të fundit plenar të Parlamentit Evropian para pushimeve. Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme duhet të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën, para se të këtë ta bëjë Parlamenti Evropian dhe pastaj edhe Këshilli Evropian.

Komisioni Evropian propozoi më 4 maj heqjen e vizave për Kosovën duke vënë si kusht ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, një çështje që ka çuar ndërkaq në krizën më të thellë politike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruat në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Zonja Fajon u bëri thirrje të gjithë "politikanëve përgjegjës të Kosovës që të bëjnë këtë hap përfundimtar dhe të hapin derën për lëvizjen pa viza.”

Qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG