Lidhje

Tre të dënuar për krime lufte në Kosovë


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i dënoi me 13 vjet heqje lirie tre pjesëtarë të ish UÇK-së nën akuzat për krime lufte kundër civilëve

Një Gjykatë në Prishtinë e drejtuar nga gjykatës të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, shpalli fajtor dhe i dënoi me gjithsejtë 13 vjet heqje lirie, tre ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile.

Rrustem Mustafa i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, u dënua me 4 vjet heqje lirie, Latif Gashi me 6 vjet dhe Nazif Mehmeti me 3 vjet heqje lirie. Të tre ata akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë, të cilët gjatë periudhës 1998/1999 ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë, një fshat në komunën e Podujevës në veri të Prishtinës.

Në korrik të vitit 2003, një Gjykatë e Misionit të Kombeve të Bashkuara pati dënuar Rrustem Mustafën me 17 vjet heqje lirie, Nazif Mehmetin me 13, Latif Gashin me 10 dhe të akuzuarin e katërt Naim Kadriu me 5 vjet heqje lirie nën akuzat për arrestim të paligjshëm, torturim, trajtim jonjerëzor dhe vrasje të civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Në qershor të vitit 2005 Gjykata e lartë e Kosovës kishte vendosur të kthejë në rigjykim këtë rast. Më 7 korrik të vitit 2009, Gjykata e Qarkut në Prishtinë filloi rigjykimi i drejtuar nga EULEX-i, ndërsa prokurori i çështjes hoqi dorë nga akuzat për vrasje, ndërsa në tetor të atij viti ata morën dënimet e njëjta sikurse edhe në procesin që përfundoi sot.

Në fillim të vitit 2011 Gjykata e lartë e Kosovës kishte urdhëruar rigjykimin e çështjes.
Avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar ankesë në vendimin e sotëm të Gjykatës që ka nxitur edhe reagimin e Organizatave të dala nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës të cilat e kanë cilësuar këtë proces me prapavijë politike dhe veprim kundër vlerave të luftës.

Nëpërmjet një deklarate për opinion prokurori i EULEX-it, Charles Hardaëay tha se “me këtë rast nuk është gjykuar UÇK-ja, por vetëm të pandehurit. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të kuptohet se fajësia është individuale dhe jo kolektive, prandaj gjykata me të drejtë shpalli se këta persona kishin kryer veprime të kundërligjshme”.

Shoqatat e dala nga lufta edhe sot kanë bërë thirrje për përmbylljen e mandatit ekzekutiv të EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin, në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
XS
SM
MD
LG