Lidhje

KQZ: rinumërim në Lezhë dhe Shkodër


Vendimi pas parregullsive të konstatuara në Lezhë dhe denoncimit të republikanëve për Shkodrën. Kundërshtojnë socialistët

Në Shqipëri Komisioni qendror i zgjedhjeve vendosi sot hapjen e të gjithë kutive dhe rinumërim të votave në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Vendimi hasi në kundërshtimin e fortë të përfaqësuesve socialistë sipas të cilëve synimi i KQZ-s është që të ndotet procesi, ndërsa hodhën dyshime të forta se në ndërkohë kutitë e këtyre dy qarqeve mund të jenë manipuluar. Për hapjen e kutive të Lezhës, vendimi u mor me nismën e anëtarëve të Komisionit pasi nga rinumërimi I mëparshëm i 10 kutive dolën në pah parregullsi të shumta. Ndërsa për Shkodrën, hapja e kutive erdhi pas ankesës së republikanëve të cilët pretendojnë të marrin një mandat që u ka shkuar demokratëve


KQZ, rinumërim votash në Lezhë dhe Shkodër
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Ndërsa u duk se procesi zgjedhor këtë herë do të mbyllej me shpejtësi, ashtu sic doli edhe rezultati i tij, dy vendime të sotme të Komisionit zgjedhor i dhanë një kthesë tjetër, dhe sërish përmbyllja e procedurave rrezikon të zgjatet deri në javët e gushtit. Në një klimë të tensionuar Komisioni qëndror vendosi hapjen e kutive në të gjithë qarkun e Lezhës.

Vendimi u mor me nismën e vetë Komisionit. Rinumërimi i mëparshëm i 10 kutive të Lezhës nxorri në pah parregullsi të shumta, ku disa qindra vota për partinë demokratike ishin shënuar në favor të socialistëve, ndërsa pati edhe raste, në numër shumë më të kufizuar votash, kur kishte ndodhur e kundërta. “Në aq kuti sa hapëm, situata që pamë ishte dramatike. Kishte një ndryshim shumë të madh mes dokumentacionit zgjedhor të ardhur dhe realitetit në kutitë e votimit. Ky është besoj është një fakt për të kuptuar se sistemi i numërimit nuk ka funksionuar”, u shpreh anëtari i KQZ-së Klement Zguri.

Socialistët e kundërshtuan me forcë, duke folur për një vendim të pabazuar në ligj, për përdorimin e standarteve të dyfishta, ndërsa kujtuan refuzimin e KQZ-s për rinumërim në Kukës dhe folën për një përpjekje për të ndotur procesin: “Janë 350 mijë vota që nuk I prekni dot. Por turp t’ju vijë. Celulë e PD-së ishit, celulë e PD-së mbetët. Jeni totalisht jashtë ligjit. Kjo është skandal. Jeni jashtë atyre që keni bërë tre vjet më parë, që keni thënë dhe jashtë vendimeve të kolegjit. Ju doni të bëni pis procesin. Ju ka dhënë urdhër PD-ja” tha përfaqësuesi socialist Genci Gjoncaj

Menjëherë pas rastit të Lezhës, komisioni mori të njejtin vendim edhe për Shkodrën. Këtë herë shkas u bë ankimimi I republikanëve të cilët pretendojnë një mandate që u ka shkuar demokratëve. “Në cdo procesverbal, në cdo tabelë që ju kemi vënë në dispozicion si prova, shihen korrigjime lehtësisht të dukshme. Shikoni se cfarë masakre është bërë në shpërndarjen e votave dhe nuk ka asnjë shënim të komisionerëve lidhur me këtë realitet”, deklaroi Arjan Madhi, përfaqësues i Republikanëve.

Socialistët u shprehën se dhe në rastin e Shkodrës dokumentacioni ka qenë i firmosur pa vërejtje nga asnjë prej komisionerëve dhe për këtë arsye nuk mund të kërkohej rinumërimi, edhe në zbatim të praktikave të vetë KQZ në raste analoge. Sipas zotit Gjoncaj ka dyshime për ndërhyrje që mund të jenë realizuar ndërkohë në kutitë e materialeve zgjedhore, sic ndodhi edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2011, tha ai: “Ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi për cfarë kutitë kanë kur janë mbyllur në qendrat e votimit dhe kur janë numëruar. SHqetësimi ynë I vetëm ka të bëjë me integritetin e kutive nën administrimin e KQZ-së. Edhe një herë ju kujtoj se në 2011 keni ngritur dhe vërtetuar shqetësime serioze mbi integritetin e kutive. Ju kujtoj se nga ato kuti dilnin edhe zarfet, në seancat publike. Kjo gjë kërkohet të përsëritet por do të gjejë kundërshtimin tonë këtu, në Kolegj dhe kudo”.

Në Lezhë rezultati fillestar ishte 4 me 3 në favor të së majtës, por një vendim i meparshem i KQZ e ktheu në 4 me 3 në favor të së djathtës. Në Shkodër rezultati është po në favor të së majtës, 6 mandate për të kundrejt 5 për të djathtën. Me vendimin e sotëm Komisioni qëndror do të duhet të bëjë rinumërimin e mbi 200 mijë fletëve të votimit.
XS
SM
MD
LG