Lidhje

KQZ shqyrton listat e kandidatëve


Kur fushata zgjedhore hapet formalisht dy javësh, dhe kur partitë politike vijojnë serinë e takimeve me votuesit, ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton një nga një dokumentat konkurruese të mbi 60 partive të vogla, shumica të panjohura, që janë rreshtuar pas dy partive të mëdha në aleancat e ndërtuara për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

KQZ shqyrtoi dje letrat e 31 partive dhe vazhdon sot të diskutojë dokumentat e afro 25 të tjerave, një pjesë jo e vogël e të cilave kanë mangësi dhe janë kthyer për plotësime dhe saktësime. KQZ miratoi listat shumemërore të kandidatëve të 23 partive politike, por ktheu për plotësime listat e 8 partive politike brenda 3 ditësh.

Larmia mbresëlënëse e emrave të këtyre partive bie në sy vetëm në kohë zgjedhjesh, kur drejtuesit e tyre shtyhen në radhë për të nënshkruar pa kushte aleancat me dy partitë e mëdha, në këmbim të favoreve të caktuara. Shumica e këtyre partive të vogla përfaqësojnë komunitete të ndryshme, dhe shpesh pasione personale të kryetarëve, aq sa shumëfishimi i duzinave me emërtesa “socialiste”, “demokratike”, “kombëtare”, “demokristiane”, “republikane” nuk lë më hapësira për asnjë sinonimi të çfarëdoshme.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë depozituar lista shumemërore me kandidatë 66 parti politike, 4 nga të cilat konkurrojnë më vete, ndërsa janë regjistruar edhe 3 kandidatë të pavarur, mes tyre një zonjë në Vlorë. Afati i fundit i miratimit ose jo të këtyre listave me kandidatë është 14 maji. Studiuesit pohojnë që nëse mesatarisht çdo parti ka dorëzuar nga 100 emra, atëherë janë mbi 6 mijë kandidatë për 140 poste deputeti që dalin nga votat e mbi 3 milionë qytetarëve.

Analistët politikë e anashkalojnë këtë burokraci që po kalon këto ditë KQZ me pjesëmarrësit e padukshëm të zgjedhjeve, të cilët, sipas tyre, vetëm sa shtojnë rreshtat në fletat e votimit, dhe vazhdimisht diskutojnë mbi rëndësinë, programet dhe taktikat vetëm të dy partive të mëdha, që zmadhohen duke u lidhur me të vegjëlit dhe duke u zbehur identitetin këtyre të fundit edhe për 4 vjet të tjera, deri në zgjedhjet e radhës.

Studiuesit e vlerësojnë si të panevojshëm këtë spektakël sasior të demokracisë shqiptare, duke vënë theksin më fort tek cilësia dhe pjekuria e saj, aq më tepër kur dihet fare mirë prej të gjithëve se dy partitë e mëdha jo vetëm mbizotërojnë, por edhe diktojnë marrëdhëniet me partitë e vogla, duke e përdorur thjesht për propagandë elektorale rreshtin e gjatë të aleancave me ta.
XS
SM
MD
LG